Nga Paulin Paplekaj


Para pak ditësh një grup demokratësh, me qëllimin e mirë për të ringritur Partinë Demokratike si e vetmja forcë e shpresës së shqiptarëve, (në një kohë kur kjo shpresë  është e vrarë nga drejtimi i rilindasve, dhe drejtuesit aktual të PD, veçse po ndihmojnë në varrimin e saj), bëri publike platformën e Ringritjes së Partisë Demokratike.


Kjo platformë, ishte propozuar edhe më parë në kryesinë e Partisë Demokratike nga z. Genti Malko, përfaqësues i disa anëtarëve të kryesisë së partisë. Për shkak të mosreagimit të forumeve të partisë në lidhje me propozimin, ky grup i kryesisë në bashkëpunim edhe me shumë demokratë  të tjerë, bënë publike platformën nëpërmjet një deklarate, që tashmë jemi në dijeni.


Fill mbas reagimit të të fortëve të PD, që kujtuan gardhin dhe shpallën sfidën që sdo lejonin heretikët ta kapërcenin më atë gardh, ku është ngujuar kryetari me një grusht eunukësh, në media lexova edhe reagimin idhtshëm e të identifikuarit si I zbuturi-zbutës i medias së shoqërisë së hapur. Prej se Kryetari i opozitës, fal këshilltarëve mizerabël (siç thotë Berisha), pati një rezultat spektakolar, gjatë aksonit politik të këtyre katër viteve i finalizuar  në zgjedhjet politike të 25 qershorit, vazhdon ende të këshillohet po nga të njëjtët këshilltar.  I zbuturi zbutës jo pa arsye, ndihet si Aristoteli në oborrin e Filipit, duke edukuar Aleksandrin e Madh, ndaj ethshëm, i jep vetes të drejtë të klasifikojë nënshkruesit e kësaj platforme në; Burra të mirë, sharlatanë dhe mërhumë politik.


Duke qenë njëri prej nënshkruesve të kësaj platforme, të jem i sinqertë më ngjalli neveri ky lloj klasifikimi, pavarësisht  faktit, nëse ky gjykuesi mund ta ketë adresuar ofendimin e tij nominalisht ndaj pak personave nënshkrues të kësaj platforme. Më tej aksionin e përbaltjes e vazhduan totalitaristët nëpërmjet trupë e vegjëlisë, instaluar në rrjete sociale, si gjithmonë të gatshëm për të vjedhë vrer ndaj gjithkujt që mendon ndryshe nga Kryetari.


Kush merret me punët publike i mbjell vetes shqetësim në shpirt thuhej në agorat e Athinës antike.


E pavarësisht këtij kumti, para se të ekzistonin agorat athinase, që në zanafillë, bashkë me mëkatin, si nevojë për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore lindi edhe politika, duke e shoqëruar njerëzimin deri në ditët e sotme.


Gjatë historisë së njerëzimit e në vazhdim, disa e kanë quajtur dhe e quajnë mëkat dhe etje për pushtet, të merresh me punët publike, të merresh me politikë, prej se nuk janë rrekur ta perceptojnë se si mund të jetojë shoqëria në despotizëm, totalitarizëm, apo më keq akoma në kaos dhe anarshi. Ithtarët e këtij mendimi, si duket e kanë ndërtuar qasjen e tyre, në referenca të gabuara, duke marrë si etalon vetëm njerëzit që me sjelljen e tyre politike, i kanë dhënë njollën e mëkatit, politikës.


Historia ka treguar se nëpërmjet politikës, njerëz të mëdhenj, kanë arritur të çimentojnë pavdekësinë e tyre, duke orientuar shoqërinë kah e mira. Madhështia e këtyre politikanëve, gjithherë është shfaqur, nëpërmjet AKTIT, pra:



  • Vendimit për të dalë kundra despotizmit apo totalitarizmit në momentet e kulmimit të shpërfytyrimit të këtyre pushteteve, bjerrjeve të cilësive më të mira njerëzore dhe tejngopjes së shoqërisë me vese, si dhe,

  • Vendimit, për të udhëhequr shoqërinë drejt nxjerrjes nga kaosi dhe anarshia.


I ndërgjegjshëm  se vendi im ndodhet në një udhëkryq, ngarkuar me peshën e krimit organizuar, korrupsionit dhe keqqeverisjes, i pashpresë për të marrë drejtimin e duhur për faktin se nuk mund të mbështetet te një opozitë mediokre më së paku, apo të shitur tek Kryepadroni i krimit më se keqi, vendosa ti bashkohem këtij grupi firmëtarësh, që njësoj si unë janë vullnetmirë për të ndihmuar në ringritjen e Partisë Demokratike, si më e mira alternativë për ti kthyer buzëqeshjen e humbur, qytetarëve të këtij vendi.


E nëse në subkoshiencën time, por ndoshta e të gjithë atyre  gjashtëdhjetë e tre firmëtarëve, gjallon ambicia për të qenë Kryetar i Partisë Demokratike, ky nuk është faj, nuk është mëkat.


Përkundrazi, i vetmi mëkatar i cili në mos këtë jetë në jetën tjetër duhet të japë llogari, (Zotit, se ne tokësorëve ska detyrim)  është Sali Berisha. Sepse duke inkurajuar, madje duke ndikuar drejtëpërdrejtë në zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike, të një juristi që ka shkëlqyer si përkthyes dhe jo në profesionin e tij, me agjendë të dyshimtë (rezultati po e tregon), dembel klasik dhe ndoshta edhe i paaftë, shfrenoi ambicien tek qindra anëtar të Partisë Demokratike, për të synuar pozicionin e Kryetarit të partisë. E në këtë hall që e ka zënë Partinë Demokratike, ku shumica e anëtarëve të saj mendojnë se mund ta bëjnë më mirë punën e liderit se sa kryetari aktual z. Basha, qoftë duke iu referuar formimit të tyre intelektual, apo të bindur që kanë shumë herë më tepër cilësi në karakter se ai, lëvizja për reformimin e PD, pse jo edhe të kryetarit të saj (njeriu është qenie dinamike), është nevojë skajshmërisht urgjente, për të mirën e PD, dhe të politikës së vendit në përgjithësi.


Në respekt të informimit të publikut, dhe jo për të bindur autorin e shkrimit, se e ka gabim qoftë me klasifikimin që u bën firmëtarëve të platformës, qoftë me kumtin që lëshon se kërkohet koka e Bashës së Tiranës (se i Janinës ka kryer punë), qoftë me dezinformimin se Platforma ska qasje të ideologjisë, është me vend të sqarohet se:


Së pari, në ata firmëtarë bëjnë pjesë ish personalitete të spikatura të Partisë Demokratike,  si ish deputet, ish ministra apo ish drejtues të lartë të administratës shtetërore,  që padyshim kanë dhënë kontribut në Partinë Demokratike dhe ndaj qeverisjes së vendit. Dëshirën e tyre për tiu bashkuar dhe kontribuar në lëvizjen për Ringritjen e Parisë Demokratike, nuk e zbeh aspak fakti se këto personalitete tashmë të formësuara, për shkak të rrethanave dhe pozicioneve të tyre të punës, më parë kanë bërë opozitë duke qenë rrogëtar pranë forumeve, apo gazetës së Partisë Demokratike, sepse në fund të fundit ata edhe pse kanë një eksperiencë të spikatur, nuk kanë shfaqur ambicien për të qenë drejtues të kësaj lëvizje. Sikundër janë vetë deklaruar, ata janë të gatshëm të përballen me akuzat publike që u janë bërë, për kohën që ka qeverisur kur Partia Demokratike ishte në pushtet, të marrin përgjegjësi , pse jo edhe të shprehin pendesë për gabimet e tyre, por mbi të gjitha ofrojnë eksperiencën e tyre grupit nismëtar në drejtimin e lëvizjes.


Në atë grup firmëtarësh, kishte përfaqësues të studentëve të dhjetorit 90, të cilët kanë dhënë prova të AKTIT kryer, duke u vënë përballë Totalitarizmit të atëhershëm, duke krijuar Partinë e Lirisë, dhe themeluar pluralizmin në vend. A mund të thotë kush, se kjo kategori shoqërore, anëtar të Partisë Demokratike, nuk e ka legjitimitetin moral, të shpall lëvizjen për ringritjen e partisë?


Në atë grup firmëtarësh, ka ish të persekutuar politik, pinjoll të familjeve të tyre, pronarë jo thjesht të zhgënjyer nga sjellja e lidershipit Partisë, por të neveritur me lojën teatrale të këtij lidershipi në kurriz të halleve të tyre të pazgjidhura.


Në atë grup firmëtarësh janë  anëtar dhe ish anëtar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, që sot janë anëtar të Kryesisë Partisë Demokratike, që janë rritur nëpërmjet AKTEVE, vendimeve në parti. Mjafto të kujtoj  grevën e studentëve në dhjetorin 98, me kërkesën më sublime drejtuar shtetit kriminal të kohës, siç ishte zbardhja e vrasjes së deputetit Azem Hajdari. Për të gjithë ata që nuk e kujtojnë atë lëvizje, është koha të sillet në vëmendje, se nëpërmjet asaj greve, u arrit paqtimi i politikës dhe i konfliktit politik ndërmjet palëve, dhe jo vetëm, por vendi shpëtoi nga një konflikt i pashmangshëm civil, konkretizuar  kjo nëpërmjet marrëveshjes së dhjetorit 1998 në mes Kryeministrit dhe zv.Kryeministrit, me Liderin e Opozitës. Ndoshta artikull-shkruesi nuk e din, apo me dashje e sfumon rolin e këtij grupi, që ka kontribuar me shpirt, për ringritjen e Partisë Demokratike dhe ardhjen në pushtet në itin 2005, fatmirësisht në shumicën e tyre demonstruan dinjitet dhe përkushtim ndaj punës në pozicionet ku ushtronin detyrën e tyre gjatë qeverisjes së PD, dhe si i vetmi grupim me moral të pastër, dolën përsëri përpara anëtarësisë së PD, për të kontribuar në reformimin e opozitës mbas humbjes së thellë të zgjedhjeve politike të vitit 2013. E nëse artikull shkruesit apo totalitaristëve, mund tiu vijë të qeshin ironikisht, për faktin se ne nuk arritëm të reformojmë  Kryetarin e Partisë, z. Basha, çka rezultoi me një humbje fatale të zgjedhjeve të  vitit 2016, është koha dhe vendi ta themi se nuk është kurrë vonë, për të reformuar partinë dhe kryetarin e sajë.


A përçon platforma një idologji, që i mungon Partisë Demokratike?!


Padyshim që po. Në platformën për ringritjen e PD, propozohet kthimi në boshtin e vlerave të djathta konservatore, siç është kthimi i vëmendjes për ti dhënë zgjidhje shtresës së ish të persekutuarve politik , të braktisur dhe të pa përfaqësuar në forumet dhe grupin parlamentar të Partisë Demokratike si dhe angazhimi pa kushte për zgjidhjen e çështjes së pronës private si një e drejtë e shenjtë dhe e patjetërsueshme.


Cilat janë mjetet, për realizimin e kësaj strategjie?!


Lidershipi aktual është në krizë të thellë mosbesimi si ndaj anëtarësisë ashtu dhe ndaj shqiptarëve, për shkak të marrveshjeve pa dëshmitar, të fshehta dhe okulte.


Kthimi i besimit të humbur,  nëpërmjet votës së lirë brenda strukturave të partisë, është kryefjala, është pishtari i kësaj lëvizje.


Cila është rruga?!


Padyshim rruga nëpërmjet bashkëpunimit dhe jo përjashtimit. Zaptuesit e lidershipit, duhet të njohin realitetin e krijuar, të pranojnë nismën pa kushte për të shpëtuar Partinë Demokratike. E nëse misioni i tyre është shkatërrimi i kësja partie, koha do e tregojë që do rezultojnë të dështuar, sepse asnjë bashkim vullnetesh smund të jetë pronë e disa  individëvë, qofshin këta edhe të parapëlqyerit e estabilishmentit politik.


I zbuturi-zbutës, dhe totalitaristët, ithtar të lidershipit aktual të partisë, plehnojnë opinion publik me idetë e tyre, se gjoja është një grup tradhëtarësh që synon të përçajë partinë, që e gjithë nisma e tyre është një rrenë e madhe. Duke lexuar anekdodën e dy mirditorëve që ruanin krypën e tregëtarit krutan, e pranoj se më pëlqeu, madje i admiroj artikull-shkruesin që gjen kohë të njohë dhe gurrën popullore. Me dëshirën e mirë, për ti shtuar në begraundin e dijes edhe grimca të tjera nga gurra popullore, po e mbyll edhe unë më një anekdotë.


Në një kuvend burrash në malësi, kishin nxitur një legen-mashkull, me ja pre fjalën një burri të mirë, duke i thanë se rrejti…(gënjeu)


I nxanun ngusht, burri i mirë, çon dorën më nxjerr koburen. Por kur kujtohet se kë kishte përballë, e kthen dorën bosh, por i thotë legen-mashkullit:


-Tkish me nxjerr për gryke m… kjo kobure, te tanë e kisha me i shprazë në ty


E unë firmëtari, që dua të bëhem kryetar, nuk kam ndërmend të gjejë kobure që nxjerr m.., me shpraz në këshilltarët mizerabël dhe totalitaristët mbështetës të kryetarit të partisë time, po si shumë demokrat të ndershëm po luftoj që Ju, mos të mbyteni në m… Tuaj.