Pas 33 vitesh, në të njëjtën zyrë të katit të parë ku filloi punën si Redaktor i Gazetës Mësuesi, dita e fundit në detyrë e Ilir Kaninit u shoqërua me një surprizë për të, ardhjen e beftë të Kryeministrit Edi Rama. Dalja në pension e Ilirit ishte qëllimi i vizitës së palajmëruar të Kryeministrit në Ministrinë e Arsimit, ku sëbashku me ministren e Arsimit dhe kolegë trokitën në derën e zyrës së Ilirit.

thumbnail_Surpriza Iliri 3

Doktori i Shkencave Historike, Iliri ka emrin e tij në historikun e Ministrisë së Arsimit dhe të arsimit shqiptar. Edhe pse nuk e njihte personalisht, Kryeministri vendosi t'ia uronte vetë Ilirit, ditëlindjen, në shenjë respekti e vlerësimi të shembullit të nëpunësit profesionist, korrekt e të ndershëm, të cilët administrata shqiptare i ka të shumtë dhe që Ilir Kanini i përfaqëson.

"Unë nuk kam ardhur për të shprehur respektin tim më të thellë për Ilirin dhe për të shfrytëzuar rastin që Iliri si një shembull i shkëlqyer, që nuk është i vetmi natyrisht, provon se administrata është larg së qeni ajo që perceptohet dhe përgojohet përditë, edhe pse është larg së qeni ajo që duhet të jetë për një vend që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Si Iliri ka plot njerëz të ndershëm, ka plot familjarë, prindër apo edhe më të rinj, që janë pjesë e administratës, për të bërë me përkushtim detyrën dhe për të fituar me ndershmëri rrogën dhe bukën e përditshme të fëmijëve dhe familjes së tyre," - u shpreh Kryeministri.

thumbnail_Surpriza Iliri 2

Model i nëpunësit të përkushtuar dhe frymëzues e cilësoi edhe Ministria e Arsimit Lindita Nikolli. "Iliri ka një jetë në arsim, por është nga ata që profesionin e ka nisur mision. Ka 33 vite që punon në Ministrinë e Arsimit, i dedikuar arsimit fillor, i dedikuar revistës Mësuesi. Ka 33 vite që s'ka marrë asnjëherë raport. Një model që do të na shërbejë të gjithëve, mua të parës, por edhe të gjithëve për modelin e thjeshtësisë, profesionalizmit, korrektesës, ndershmërisë dhe këtë dua ta vlerësoj fort. Kështu që Ilir, unë të jam mirënjohëse."

Kryeministri e cilësoi jo vetëm kënaqësi, por edhe detyrë për të promovuar shembujt si Iliri:

"Ky tribut për Ilirin është një tribut për një njeri që nuk mund të largohej nga administrata, pa u treguar të gjithëve se kush ishte, çfarë bëri në gjithë këto vite dhe çfarë kujtimi të jashtëzakonshëm do të lëri në gjithë mjedisin e ekipit, me bindjen që patjetër ministrja do të vazhdojë të shfrytëzojë njohuritë, eksperiencën, duke u këshilluar me Ilirin. Shumë mirënjohje, shumë respekt dhe realisht, për fat të keq, janë politikanët dhe kriminelët që bëjnë pjesën më të madhe të lajmeve të ditës dhe njerëzit që përditë punojnë kokulur nuk përbëjnë lajm. Por është pjesë e detyrës sime dhe pjesë e detyrës sonë që publiku t'i njohë edhe këta njerëz dhe të ndihet mirë për faktin se shteti shqiptar është larg së qeni në duart e atyre që thuhet, por është në duart, në radhë të parë, të njerëzve që punojnë me përkushtim."

Në një ambient gëzimi, por edhe emocionesh, u rrëfyen kujtime e mbresa nga puna e përbashkët, por edhe batuta e dhurata. Një kravatë ishte dhurata e Kryeministrit, e shoqëruar edhe me një batutë: "Unë jam i gjatë, po kravatat janë normale."

thumbnail_Surpriza Iliri 1