Ylli Demneri


Nje tavoline, dy karrike te vjetra dhe kater meshtekna. Feneri eshte i varur ne njeren nga deget. Dielli nuk duket (si projektoret ne teater), por rrezet e tij ndricojne fort syprinen e tavolines dhe konturet e karrikeve. Hijet e meshteknave zgjaten mbi toke. Lisharesja, pak me tutje, lekundet nga flladi. Druret perreth ende te zhveshur. Vetem nje kumbull zbardh nga lulet. Vendosja (krejt e rastesishme) e objekteve, si dhe ndricimi, bejne qe pamja para syve te duket me teper si nje dekor teatri.



























Kete e shton edhe me teper mungesa e cikerrimave («Ne qofte se ne aktin e pare nje pushke eshte varur ne mur, atehere duhet doemos qe ajo te perdoret diku ne aktin e dyte apo te trete». [Cehov]). Pjeset e Cehovit kishin kohe qe nuk viheshin ne skene. Qe me prishjen e marredhenieve me Bashkimin Sovjetik. Pak nga pak, te gjithe autoret ruse e sovjetike filluan te lihen ne harrese. Vec kesaj, pjeset e Cehovit nuk ishin aspak revolucionare. Heronjte e tij, te lidhur aq shume me te kaluaren (Kopshti i qershive) e qe qaheshin nga jeta e tyre monotone ne province duke thirrur « Ne Moske! Ne Moske!», nuk pershtateshin me propaganden komuniste qe ndalonte cdo lloj nostalgjie per te kaluaren dhe cdo lloj trishtimi per jeten ne province.


Ne Shqiperine socialiste «jeta lulezonte ne cdo kend te atdheut!» Ate pasdite, ndryshe nga heret e tjera, profesor Esati na propozoi nje lloj ushtrimi ku, pa tekst dhe pa aktor, vetem duke vendosur disa objekte mbi skene, te benim pak a shume te kuptueshme se cfare kishte ndodhur. Pra, duhej te krijonim dy tablo apo, me sakte, dy natyra te qeta. Nuk me kujtohen hollesite por, ne «tablone» time te dyte, njeren nga karriket e kisha shtrire pertoke dhe mbi tavoline kisha shtuar nje shall femeror qe varej deri poshte.


Kisha dashur te krijoja nje atmosfere cehoviane (i ndikuar nga librat qe lexoja asokohe). Me kujtohet qe profesor Esatit i pelqeu ai ushtrim. Madje foli gjate dhe i entuziazmuar. Te pikturuarit dhe venia ne skene kane shume gjera te perbashketa. Jemi perpara dy siperfaqesh: telajos dhe hapesires skenike. Dhe ne te dyja rastet (me mjete te ndryshme) na duhet qe te kompozojme. Koha perpara telajos apo skenes eshte nje nga pervojat me te bukura. Edhe ne ato pak caste kur del jashte dhe bie ne kontakt me «Jeten», gjithcka te duket e pavlere, sidomos politika.


Ne ate pushim mes seancave, i ulur ne qoshen e nje kafeneje pa emer, duke thithur cigaren, hedh syte por nuk shikon, degjon por nuk mban vesh. Shikon e degjon vetem ngjyrat, format, zhurmat dhe zerat e «tablove» qe ke nisur te krijosh. Nje lloj ekstaze. Momentet me te shijshme te nje vetmie te plote. (Jetojme ashtu si dhe enderrojme vetem. (Conrad) Pa ditur ndonje gje te sakte, kam pershtypjen se ate vit qe krijoi katedren e regjisures duke qene vete shef katedre, Esat Oktrova dukej i lumtur. Kjo shihej nga menyra si ecte. Hapi i qe lehtesuar dhe nje buzeqeshje e lehte i ravijezohej ne fytyre. Ndihej me i lire duke mbledhur rreth vetes ata qe donte: Pirro Manin per praktiken teatrale dhe Vangjush Furrxhiun per anen administrative.


Pedagoget e jashtem ishin me te miret e teatrit dhe kinemase se asaj kohe: Dhimiter Anagnosti, Viktor Gjika, Kristaq Dhamo, Piro Milkani, Kujtim Cashku, Agim Zajmi, etj. Ne ishim studentët e parë të degës së regjisurës. Tete. Gjashte djem e dy vajza. Esati me Pirron kishin mbaruar per regji teatri ne Bashkimin Sovjetik, ne njeren nga shkollat me emer ne gjithe boten, i famshmi GITIS, ku vazhdonin te jepnin mesim nxenesit e Stanislavskit (te pakten keshtu thoshte legjenda).


Pirroja na fliste here pas here per studimet e tij ne BS, ndersa Esati, «me njolle ne biografi », nuk i zinte asnjehere ne goje. « Jam pa diplome. Skam asnje dokument. Kur u prishen marredheniet me Bashkimin Sovjetik na kthyen urgjentisht ne Shqiperi. Tani me kerkojne diplomen ne ministri per punen e rroges. Skam diplome, u thashe. » dhe Pirroja qeshte me zerin e tij te plote e kumbues. Ne ate kohe, ai ishte me i madhi. Kryeregjisori. Nje kerkese e tille burokratike e zbaviste shume. Pirroja kishte lindur per te qene regjisor eatri. Shpesh me ndodhte ti imagjinoja njerezit ne profesione te tjera nga ato qe ushtronin.


Pirron nuk mund ta imagjinoja ne tjeter mjeshtri. Shfaqjet e tij nuk ishin as kinema, as letersi, por teater. Nga kontaktet qe kam patur me teatrin ne France, jam bindur per talentin e Pirros. Te kishte qene i lire dhe i lidhur me ate qe ndodhte ne bote, sot Pirroja do ishte nje regjisor me fame, jo vetem ne Shqiperi. Mbas viteve 90, u shkeput krejt nga teatri. Frika se mos e quanin shkolle e vjeter? Ndoshta. Por tani qe shkruaj keto rreshta me duket sikur me thote: «Edhe kjo osht regjisure, Demnero! Ata qe besojne ne talentin tim, besojne akoma se do kthehem e do realizoj nje shfaqje te bukur, si dikur.


Ha, ha, ha!». Marredheniet tona me Pirron i tejkalonin raportet student- profesor. Na deshi dhe e deshem. Nje marredhenie respekti e konsiderate të ndërsjelltë. « Si (luante naivin)?!Nuk pini duhon ne klase?! Eshte e ndalume?! Po ju sjeni mo studente. Neser do veni ne skene shfaqje». Dhe nxirrte nje nga paketat e tij DS (kishte gjithmone tri) e na ofronte nga nje cigare. Esati ishte krejt e kunderta. Ruante raportet student-profesor. Por asnjehere i ftohte e prepotent.


Nen hijen e rende, fshihej nje Esat i bute e delikat. Bashke me pallton e gjate, kapelen republike dhe cigaren ne buze, ai mbante me vete vulen e njeriut me «njolle ne biografi», por ate pak liri qe i lejonte posti e shfrytezonte me zgjuarsi. Ne tre vjet nuk kemi bere asnje mbledhje. Nuk deshironte (me aq sa mundej) te humbte kohen e tij dhe tonen ne ato rituale formale qe sherbenin vetem per te treguar pranine e diktatures.


«Njolla ne biografi» me e tmerrshme se «njolla ne mushkeri», e kishte bere mjaft te kujdesshem. Madje, edhe ne veniet e tij skenike. Jam i bindur se nga natyra dhe temperamenti ishte me teper i terhequr nga dramat intimiste te Cehovit dhe jo nga pjeset skematike ku vetem ulerihej per Partine, Atdheun dhe fitoret socialiste. Here pas here me vjen ndermend reagimi i tij ne ate ushtrim te thjeshte me shallin e hedhur pertoke.


15 prill 2018 (gazeta-shqip.com)