SHKRUAN: Jonida Tashi 24-09-2011 13:37

Ministria e Arsimit, pas shpalljes së fituesve të fazës së dytë të universiteteve, detajon procedurat që duhet të ndjekin studentët e rinj, për të mos humbur të drejtën e studimit. MASH njofton të gjithë fituesit për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në universitetet publike, se regjistrimet në fakultetet ku janë shpallur fitues do të kryhen nga dita e hënë, datë 26-30 shtator 2011, nga ora 08.00- 18.00 pranë sekretarive të çdo fakulteti. MASH sqaron se maturantët e shpallur fitues për herë të parë në këtë fazë konkurrimi, duhet të paraqesin pranë sekretarive mësimore të fakulteteve dokumentet e mëposhtme: Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave. Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, Dëftesë Pjekurie. Në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore); Dokument identifikimi(letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; Dy fotografi; Mandat i arkëtuar i tarifës së regjistrimit në zyrat e Postës Shqiptare prej 1.550 lekë për llogari të universitetit ku është shpallur fitues. Ndërsa maturantët që në listën përfundimtare nuk kanë lëvizur në preferencë më të lartë, mbeten të regjistruar në programin e studimit ku janë shpallur fitues në listën paraprake, pa patur nevojën të riregjistrohen. Maturantët që në listën përfundimtare janë ngjitur në një preferencë më të lartë duhet të kryejnë veprimet e mëposhtme: të paraqiten në fakultetin ku kanë kryer regjistrimin paraprak për të tërhequr dokumentet dhe duhet të regjistrohen në fakultetit ku janë shpallur fitues në listën përfundimtare në programin e studimit përkatës. Kjo kategori maturantësh nuk kanë nevojë të kryejnë pagesën e tarifës së regjistrimit. Ministria e Arsimit thekson se maturantët fitues në një preferencë më të lartë duhet detyrimisht të regjistrohen në preferencën fituese të shpallur në listën përfundimtare, në të kundërt humbasin të drejtën e studimit. Me mbylljen e regjistrimit përfundimtar, universitetet do të dorëzojnë në MASH listat përfundimtare origjinale, me regjistrimet e kryera për çdo program studimi të ciklit të parë me kohë të plotë, të plotësuara sipas udhëzimit të MASH për regjistrimin përfundimtar, në formë të shkruar dhe elektronike dhe në dy kopje deri në datën 30 shtator 2011. Pas kësaj date, universitetet do të raportojnë në Ministrinë e Arsimit vendet e mbetura bosh nga faza e regjistrimit përfundimtar dhe kërkesat për rishpërndarjen e tyre. Me marrjen e këtyre të dhënave MASH do të bëjë publikimin e vendeve të paplotësuara në universitete, për të cilat maturantët jofitues do të aplikojnë nëpërmjet Formularit A3. Aktualisht, MASH bën të ditur se janë 1354 vende, kuota, të cilat nuk janë preferenca të përzgjedhura nga maturantët gjatë plotësimit të Formularit A2. Sipas MASH, këto kuota mund të jenë kontigjent për Formularin A3, që do të plotësohet nga maturantët pas regjistrimit përfundimtar të fituesve.






Maturantët fitues në një preferencë më të lartë duhet detyrimisht të regjistrohen në preferencën fituese të shpallur në listën përfundimtare, në të kundërt humbasin të drejtën e studimit



Dokumentet e regjistrimit


1.Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave. Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011, Dëftesë Pjekurie. Në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore)


2.Dokument identifikimi(letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit:


3.2 fotografi


4.Mandat i arkëtuar i tarifës së regjistrimit në zyrat e Postës Shqiptare prej 1.550 lekë për llogari të universitetit ku është shpallur fitues.