Procesi i vlerësimit të universiteteve do të nisë me ato private, ndonëse në këtë garë janë përfshirë edhe institucionet e arsimit të lartë publik. Deklarata është bërë dje nga vetë ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj gjatë një takimi me akademikë edhe nga vendet e rajonit, të organizuar nga Universiteti Politeknik në lidhje me cilësinë që ofrohet në universitetet e larta dhe akreditimin. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe shefi i delegacionit të Komsionit Europian Etore Sequi. Ndërsa bëri të ditur se brenda muajit mars pritet të përfundojë procesi i vlerësimit të programeve që ofrojnë universitetet, nismë kjo që do t’i paraprijë akreditimit, kreu i Arsimit u shpreh se fillimisht do të akreditohen universitetet private, pasi këto të fundit nga metoda e re e financimit duhet të plotësojnë këtë kusht për të përfituar fonde. “Ne synojmë që brenda muajit mars t’i miratojmë standardet e reja të pranuara nga shkollat tona. Këto standarde do të shërbejnë për vlerësimin dhe akreditimin institucional dhe të programeve të studimit. Në kuadër të reformës së financimit të arsimit të lartë do të kryhet vlerësimi dhe akreditimi fillimisht i shkollave të larta private”, - deklaroi ministri Tafaj.