Është nënshkruar sot mes Universitetit të Tiranës, Universitetit Bujqësor dhe atij të Torinos, një marreveshje bashkepunimi. I pranishëm në ceremoni, ka qënë edhe presidenti,Topi i cili vlerësoi marrëveshjen dhe evidentoi përfitimet nga ky shkëmbim.
TIRANE- Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Bujqësor kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Torinos. Marrëveshja u firmos nga Rektori, Dhori Kule, Rektori Harizaj dhe Rektori i Universitetit të Torinos, Peliceti.
Në ceremoni ishte i pranishëm presidenti i Republikës, Bamir Topi, ambasadori italian në Tiranë, Saba Delia, dekanë, profesorë e studentë.
Kreu i shtetit, në fjalën përshëndetëse të mbajtur me këtë rast, vuri në dukje vlerat mësimdhënëse të Universitetit mbi 600-vjeçar të Torinos dhe evidentoi përfitimet e universiteteve tona nga ky shkëmbim eksperiencash arsimore e kulturore.
“Ne nuk vuajmë sot nga masiviteti, ne sot vuajmë për kualitet dhe është e domosdoshme që sot të gjithë së bashku të sinkronizojmë përpjekjet tona, të sintonizojmë forcat tona që kualiteti të jetë pikërisht dominanti i punës i qarqeve akademike. Dhe unë jam i bindur që profesorët e nderuar, të cilët i njoh nga afër në të gjitha fushat, këtu ne kemi kualitete që ofrojmë, do të bëjnë të mundur fatmirësisht që këtë kualitet ta realizojnë edhe tek formimi i studentëve”- deklaroi presidenti.
Nga ana e tij, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule e vlerësoi këtë moment si shumë të rëndësishëm për arsimin në vend.
Ambasadori italian në Tiranë, Sabah Delia, theksoi se marrëveshje të tilla e ndihmojnë Shqipërinë ti afrohet sa me shpejt Bashkimit Europian, duke pasur parasysh edhe pozicionin tonë si përkrahës të mëdhenj të kësaj nisme. (e.n/News24/balkanweb)