SHKRUAN: Jonida Tashi 11-09-2011 11:15

Ministria e Arsimit shpall zyrtarisht listën paraprake të fituesve të universiteteve sipas degëve të fakulteteve në të gjithë vendin, ndërkohë që ditën e hënë do të nisë edhe regjistrimi paraprak i tyre. Listat paraprake të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe të preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në Formularin A2, në përputhje me kuotat e pranimeve të miratuara nga qeveria janë dërguar edhe në universitetet publike të vendit. Maturantët që do të rezultojnë fitues në listën e paraprake të fituesve të universiteteve, duhet t’i drejtohen fakulteteve ku janë shpallur të tillë, për të kryer procedurën e detyrueshme të regjistrimit paraprak. Sipas udhëzimit të MASH, kandiatët fitues duhet të bëjnë regjistrimin paraprak të tyre në programin e studimit ku janë shpallur fitues pranë sekretarive mësimore të fakulteteve nga data 12 shtator deri në datën 18 shtator, nga ora 8.00 deri në orën 18.00. Për regjistrimin paraprak, kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale të mëposhtme: Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave. Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, Dëftesë Pjekurie (në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore); Dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; Dy fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekë paguar për llogari të universitetit, në një nga bankat e nivelit të dytë. Në udhëzimin për regjistrimet, theksohet se kandidatët, të cilët nuk kryejnë regjistrimin paraprak brenda datave të përcaktura, për çfarëdolloj arsye humbasin të drejtën e regjistrimit dhe të vazhdimit të procesit. Këta kandidatë nuk do të përfshihen në lsitën përfundimtare të fituesve. Në bazë të regjistrimeve paraprake të kryera dhe të vendeve të paplotësuara, në datën 23 shtator 2011, do të shpallet lista përfundimtare e fituesve të universiteteve.



Dokumentet e regjistrimit


Diplomë e Maturës Shtetërore së bashku me listën e notave.


Për maturantët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2011, Dëftesë Pjekurie (në mungesë të origjinalit, vërtetim me listë notash me fotografi, ose dokument me fotografi i lëshuar nga Arkivi i Shtetit me notat përkatëse të nënshkruara nga drejtori i shkollës dhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore).


Dokument identifikimi (letërnjoftim ID, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit.


Dy fotografi.


Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1550 lekë paguar për llogari të universitetit, në një nga bankat e nivelit të dytë.