23/06/2009  Banorët ishin të izoluar dimrit


SARANDË - Marrin fund vuajtjet e banorëve të fshatit Janjar, të cilët për mungesë të një ure, e kishin të pamundur kalimin për në fshatin e tyre, sidomos në periudhën e dimrit.


Prurjet e lumit Frash e bënin të pamundur qarkullimin në këtë zonë. Kësaj situate i është dhënë fund këto ditë, kur është instaluar një urë metalike, me gjatësi 22 metra. Mbi lumin e rrezikshëm u hodh struktura e parapërgatitur e një ure metalike e tipit “Bel”. Për vendosjen e urës kanë ndihmuar forca të ushtrisë. Kryekomunari i Markatit, Ismail Myrtaj, pohoi se sjellja dhe montimi i urës në fshatin Janjar, është një investim shpëtimtar për banorët. Ajo lidh tanimë fshatin Janjar, 60 km larg nga Saranda me fshatrat e tjerë të komunës së Markatit në këtë nënprefekturë.


Ura është investim i qeverisë shqiptare me 22 metra gjatësi. Banorët e këtij fshati shprehen më se të lumtur, pasi prej vitesh kishin ngritur zërin për një investim të tillë, i cili deri më tani nuk ishte realizuar. Shumë prej tyre thonë se gjatë periudhës së dimrit ishin krejtësisht të izoluar për shkak të fryrjes së këtij lumi dhe rrezikshmërisë që paraqiste ai. Gjatë ditëve më të ftohta dhe me reshje banorët e Janjarit ushqeheshin “duke u rezervuar”, pasi nuk kishin mundësi për tregti me zonat e tjera.