Rijetëzimi i vlerave të trashëgimisë kulturore dhe përshtatja e ndërtimeve aktuale në komplekset historike, janë dy aspekte tepër të ndjeshme sot në fushën e trajtimit të veprave të kulturës materiale kudo në botë. Natyrisht edhe vendi ynë si një territor i pasur me vlera të trashëgimisë, si autor i mjaft organizmave ndërkombëtarë kulturorë dhe me tri qendra pasuri e kulturës botërore, është i ndjeshëm ndaj faktorëve të sipërpërmendur. Rijetëzimi i monumenteve momentalisht po ndiqet me programe të veçanta nga MTKRS në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe me Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare.



Në fundin e vitit të kaluar, qyteti i Beratit u shpall pasuri e kulturës botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s. Vlerësimi i lartë që iu bë këtij qyteti nuk mbështetej vetëm në vlerat e larmishme arkitektoniko-artistike, por edhe në pasuritë komplekse ambientale siç janë pamjet e Kalasë, Mangalemit, lugina e Osumit në mes dhe Gorica me kalanë sipër, në krahun e djathtë. Në këto rrethana, kjo siluetë e hyrjes në një qytet- pasuri e njerëzimit, duhej respektuar në çdo rast.



Prej vitesh Berati ka pasur problemin e organizimit të trafikut ndërmjet dy brigjeve të lumit Osum. Deri më sot ky trafik është përballuar ndërmjet urës mesjetare të Goricës. Në dokumente të shekullit të XIII shkruhet se në Berat mbi lumin Osum nuk kishte urë, por lumi kalohej me trap siç dëshmohet nga lufta e Beratit e vitit 1280 ndërmjet bizantinëve dhe anzhuinëve. Në shekullin e XII Ura e Goricës përmendet për herë të parë nga udhëtari dhe kronikani turk, Elvija Çelebi, që shprehet se ura e Goricës ka nëntë harqe mbi tetë këmbëza guri të ngulura thellë në ujë dhe dy këmbëza të forta anëve. Sipër është shtruar me trarë të thatë dushku të prerë në Malin e Thatë.



Kështu në shekullin XVII, ura e Goricës është me shtrojë druri mbi këmbë të gurta. Më vonë në vitin 1777, sipas një shënimi nga një libër i kishës së Shën Gjergjit, ura e Goricës u ndërtua me qemer guri nga sundimtari vendas, Ahmed Kurd Pasha. Në dhjetor 1888, kjo urë u dëmtua nga prurjet katastrofike të Osumit. Një tjetër ndërtim, kjo urë e pësoi gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918. Sot kjo urë paraqitet pas riparimeve të kryera me mbarimin e Luftës së Parë Botërore. Ura e gurtë e Goricës përfaqëson një urë të tipit me shumë qemer, me pjesën kaluese të sheshtë, me dy rampa të pjerrëta në hyrjen dhe daljen e saj. Gjatësia e urës arrin 127 metra. Ajo qëndron mbi shtatë qemer rrethorë me hapësira drite nga 6.7 deri në 16.5 metra. Ndërmjet qemerëve janë çelur dritare shkarkuese për zvogëlimin e presionit të lumit. Për të zgjidhur problemin e trafikut në këtë qytet dhe për të ruajtur karakterin muzeal historik të urës mesjetare të Goricës, para dy vitesh shteti shqiptar dha një fond për ndërtimin e një ure të re mbi lumin Osum. Kjo urë u vendos të ngrihej më poshtë se ura e Goricës, ndërmjet kësaj dhe urës tjetër mesjetare të Velabishtit.



Ura e Velabishtit është ndërtuar në mesin e shekullit XVIII nga Ismail Pashë Velabishti, sundimtari i Sanxhaqeve të Vlorës dhe të Delvinës deri në vitin 1764, kur në Berat filloi periudha e sundimit të Ahmed Kurd Pashës.



Siç thuhet më sipër, detyra e projektuesve ishte të respektohej silueta karakteristike e hyrjes së qytetit të Beratit e lënë në mbrojtje si "Pasuri e Kulturës Botërore". Hartimi i projektit të urës së re të Beratit mbi lumin Osum e mori përsipër studiuesi S.D.C.N me autor Nazmi Patozi dhe Maksim Arapi, inxhinierët e sipërpërmendur përgatitën projektin konstruktiv të urës, ndërsa projektin për rifiniturë dhe integrimin e këtij objekti të ri me ambientin historik të Beratit, e përshtati autori i shkrimit.



Sfondi i urës së re përbëhej nga lagjja Qendra Historike në krahun e Mangalemit në krahun e majtë, nga ura e vjetër e Goricës në ballë nga pas, si dhe nga lagjja "Goricë", Qendra Historike nga krahu i djathtë. Në këto rrethana, autorët e projektit menduan me të drejtë një bashkëpunim ndërmjet projektuesve të sotëm dhe atyre të konservimit të veprave historike.



Duke u konsultuar me dokumente dhe pamje të urave të drurit me origjinë antiko-mesjetare, menduan një zgjidhje sa më optimale për një përshtatje sa më origjinale të urës së re në luginën e Osumit në hyrje të Beratit. Së pari, u vendos që pilat prej betoni të urës të maskohen me mur guri pllakë gëlqerore dhe të trajtohen të rrumbullakosura nga ana e sipërme e ardhjes së ujit. Parapeti i urës u ndërtua me binarë druri, që forcohen me pajanta druri mbështetur mbi konsula po të drunjta. Lidhjet e binarëve janë realizuar me pjastra hekuri. Trotuaret e urës janë shtruar me gurë dhe pjesa kaluese është me shtresë asfalti. Mbi urë janë vendosur shtylla ndriçuese hekuri me llamba neoni. Ura e re mbi lumin Osum ka një gjatësi prej 130 metrash dhe një gjerësi prej 18 metrash. Ajo ngrihet mbi 6 hapësira ndërmjet këmbëve me distancë 21,8 metra nga aksi në aks. Kapaciteti mbajtës i urës është 30 tonë dhe koha e ndërtimit të saj zgjati 1 vit. Theksojmë se me këtë zgjidhje, ura e re e Beratit mbi lumin Osum, përfshihet në karakterin e siluetës historike të hyrjes së qytetit të Beratit. Ajo përforcon një bashkëpunim profesional të projektuesve të ditëve tona me studiuesit konservatorë, një kërkesë e domosdoshme për trajtimin e qendrave tona historike. Në këtë mënyrë arrijmë dhe në respektimin e orientimeve të UNESCO-s për trajtimin e qendrave historike-pasuri botërore. Rasti i urës së Osumit është një shembull i qartë i ndërtimeve të sotme në kontekste historike. Zgjidhjet optimale shpërfaqin një bashkëjetesë të merituar ndërmjet kulturës së trashëguar dhe të ndërtuarit të sotëm me kulturë.