Edhe Shqipëria është në gatishmëri të plotë për veprat publike pas shembjes së urës Morati në Itali, ku humbën jetën më shumë se 40 persona.


Sipas drejtorit të ARRSH-së, Afrim Qendro, situata nuk paraqitet emergjente, por gjithsesi të paktën 7 ura kanë nevojë për ndërhyrje.


Nga 3.975 vepra publike në vend, 1.200 janë ura dhe monitorohen nga ARRSH-ja, me një kontroll periodik 1 herë në vit dhe ndërhyrje të vazhdueshme gjatë periudhës që mirëmbahen e shfaqen probleme. Ne kemi ndërhyrë në 25 ura dhe më problematiket kanë qenë ura e Mborjes, e Sulotit dhe Zëmblakut. Nuk kemi emergjenca, ndërkohë që kemi dërguar në qeveri disa projekte ku është hapur gara për tenderin, – tha Qendro. – Do kërkojmë buxhet për urat problematike, por e përsëris, nuk jemi në panik, as në emergjencë për urat.


Kreu i ARRSH-së theksoi po shtu se problem janë automjetet e rënda që kalojnë në ura, ndërsa sipas tij sinjalistika e vendosur është e saktë.


Problem janë gërryerjet në këmbët e urave. Kemi menduar të ndërtojnë një urë të re në qytetin e Tepelenës që do të lidhë gjithë aksin e jugut. Kompanitë e naftës dhe kromit nuk i respektojnë rregullat mbi peshën në akset ku kalojnë. Qendro shtoi se të gjitha urat në vend do të inspektohen.


20 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)