Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka njoftuar sot se lejon lëvizjen e kafshëve të gjalla të llojit gjedh nga fermat vetëm në drejtim të thertoreve brenda qarkut të origjinës.

mish-933x445

Me Urdhër Ministri nr. 448 datë 29.08.2016 "Për disa ndryshime në urdhrin nr 371 datë 08.07.2016 për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Dermatozës Nodulare të Gjedhit (Lumpy Skin Disease)" janë reduktuar masat shtrënguese të bllokimit total të lëvizjes së kafshëve të gjalla të llojeve gjedh duke lejuar lëvizjen te tyrë në drejtim të një thertoreje të përcaktuar brenda qarkut të origjinës së tyre.

Ky Urdhër vjen pas Urdhërit të Ministrit nr 436 datë 15.08.2016 "Për disa ndryshime në urdhrin nr 371 datë 08.07.2016 për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes së Dermatozës Nodulare të Gjedhit (Lumpy Skin Disease)" i cili lejoi lëvizjen e kafshëve të llojit dhen dhe dhi në drejtim të një thertoreje të përcaktuar brenda qarkut të origjinës së tyre.

Shërbimi veterinar në Drejtoritë e Bujqësisë në qarqe do të informojnë fermerët që mbarështojnë gjedh dhe do të kryejë monitorimin e lëvizjes së kafshëve dhe mjeteve të transportit si dhe do të informojë çdo ditë Drejtorinë Veterinare.

Drejtoria Veterinare do bashkëpunojë me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të bashkërenduar punën edhe me njësitë e qeverisjes vendore për monitorimin e tregjeve të kafshëve dhe thertoreve.

Aktualisht Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave nëpërmjet shërbimit veterinar dhe strukturave të tjera të varësisë, është duke ndjekur vazhdimisht rastet mbi numrin kafshëve të prekura dhe shtrirjen gjeografike të tyre, dhe në kushtet kur vaksinimi i kafshëve të llojit gjedh në të gjithë vendin është kryer në një numër të konsiderueshëm kafshësh dhe po vazhdon me ritme të kënaqshme në të gjithë vëndin, sipas situatës që do të paraqitet do të rioshikojë mundësinë e reduktimit të mëtejshëm të masave të bllokimit të lëvizjes së kafshëve deri në shfuqizimin e plotë të Urdhërit nr 371 datë 08.07.2016.