Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë vizitës së saj në Komunitetin Mysliman Shqiptar uroi të gjithë besimtarët për festën e Kurban Bajramit.


Por fjala e Kryemadhit nuk ishte vetëm një urim për të gjithë, por një ftesë për të qenë vëllezër me njëri-tjetrin për të bërë më mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë.


Për gjithë besimtarët musliman dhe për gjithë shqiptarët në fakt në këtë ditë të sakrificës dhe të flijimit të ditës së Kurban Bajramit dua tu uroj paqe, begati, mirësi dhe të ndajmë mirësinë me njëri-tjetrin, të ndajmë begatinë me njëri-tjetrin dhe të largojmë urrejtjen dhe dëshpërimin nga njëri-tjetri”, tha kryetarja e LSI në fjalën që i ngjan shumë një ftese, e cila në këto kohë të trazuara politike mund t’i drejtohet “kushurinjve” nga PS.


“Sot në këtë ditë të shënuar, e cila në njëfarë mënyre na kujton të gjithëve të reflektojmë, që jemi të barabartë përpara Zotit, le të jemi përsëri vëllezër me njëri tjetrin, të jemi përsëri të angazhuar me njëri-tjetrin për të bërë mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë. Dua tu uroj dhe juve që në këtë ditë pushimi nuk ndaloni për tu shërbyer qytetarëve dhe për ti informuar ata. Mbarësi, begati dhe të mira paçi në familjet tuaja, vijoi urimi i Kryemadhit.


21 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)