Gëzuar Pavarësinë, Kosovë! Gëzuar këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët!.


Kështu nis urimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, teksa thekson se në këtë ditë ne jemi të gjithë me mendje dhe me zemër në Kosovë.


Përulemi para veprës së Ibrahim Rugovës, Adem Jasharit e mijëra bijave e bijëve të Kosovës dhe mbarë kombit që luftuan e sakrifikuan për këtë ditë të madhe. Sot kujtojmë me përmallim të gjithë të dashurit tanë që u ndanë nga ne me pengun se nuk e panë dot Kosovën të lirë. Por mbi të gjitha, sot jemi krenarë për Kosovën, shprehet Basha.


Më tej kreu i opozitës shqiptare thotë se jemi kryelartë para botës dhe kombeve se Kosova ka treguar çdo ditë në këta 10 vjet se pavarësia e saj ishte jo vetëm drejtësi njerëzore dhe historike, por edhe burim për paqen, zhvillimin dhe europianizimin e të gjithë Ballkanit.


Jemi plot besim se Kosova ka përpara një të ardhme të ndritur, të përparuar dhe europiane. Sot, ne e dimë se e ardhmja e të gjithë shqiptarëve është e bekuar. Gëzuar Kosovë e shtrenjtë! Gëzuar shqiptarë kudo në botë!, uron Basha.


17 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)