Ushtari 21 vjeç ka qëlluar veten me një plumb në qafë. Shkaku, paraliza e të atit dhe mërzia e shkaktuar prej saj





ELBASAN- Një ushtar nga Cërriku është vetëvrarë dje me armën e shërbimit teksa ndodhej në repartin e mbrojtjes civile në Krastë të Elbasanit.



Eglantin Mehmeti, 21 vjeç, me banim në lagjen nr 3 në Cërrik, u vetëvra natën e kaluar teksa ishte në vendin e shërbimit. Ngjarja është regjistruar në një nga vendqëndrimet e repartit 1310 i vendosur në kodrën e Krastës në periferi të qytetit të Elbasanit.





Me gjithë ndihmën e dhënë nga oficerët dhe ushtarët e tjerë, ai nuk ka mundur të mbijetojë. Në vendin e ngjarjes shkuan ekspertët dhe një grup hetimor dhe sipas të dhënave të para rezulton se 21- vjeçari Eglantin Mehmeti është vetëvrarë me armën e tij tip kallashnikov. I riu e ka drejtuar armën në pjesën e qafës dhe e ka shkrehur një herë. Një plumb i ka depërtuar trupin.



Të dhënat konfirmohen nga burime jashtë policisë pasi për veprimet nuk është angazhuar policia e Elbasanit për shkak të ndodhjes brenda repartit ushtarak. Burime të komisariatit të policisë bëjnë të ditur se grupi hetimor i policisë nuk është lejuar të kryejë ekspertizën dhe kjo është bërë nga grupi hetimor i prokurorisë ushtarake.



Këta të fundit edhe informacionin zyrtar e përcjellin në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas burimeve nga reparti, bëhet e ditur se kohët e fundit Eglantin Mehmeti po haste probleme dhe kishte shenja të një depresioni.



Një ditë më parë, ai ka qenë pranë familjes me leje ku mësohet se ka babanë të sëmurë nga një paralizë. Ndoshta kanë qenë pikërisht këto probleme që kanë ndikuar tek gjendja e 21- vjeçarit i cili i gjendur i pafuqishëm ka zgjedhur rrugën më të shkurtër, atë të vetëvrasjes. Nga burime ende të pakonfirmuara thuhet se telefonata e fundit pak minuta para se të vriste veten ka qenë me të ëmën.



Ende nuk bëhet e ditur se çfarë ka folur me nënën e tij por dyshohet se në bisedën e fundit ai i ka thënë lamtumirë pas vendimit fatal për t'i dhënë fund jetës. Ndërkohë, shokët e të riut shprehen se ai ishte një tip mjaft gazmor e i shoqërueshëm dhe akoma nuk e besojnë se Englantini i ka dhënë fund jetës.