16-01-2012 / Redaksionale

Kreu i Partisë Socialiste pasi e pagëzoi publikisht Mjaft-in FRESH, i ftoi të gjithë jo 99-shat që duan të ndryshojnë realitetin e këtij vendi të bëhen pjesë e rrugës socialiste. Ai i joshi me një zbulim që duket se e kishte bërë vetë: “A e dini ju se sot 5 për qind e shqiptarëve zotërojnë më shumë se gjysmën e pasurisë së vendit”, u tha Edi Rama të rinjve të mbetur gojë hapur nga ky mister i zbuluar. Sigurisht, kreu i PS me dashje ose padashje harroi të sqaronte nëse ai apo/dhe deputetët e tij miliarderë bënin pjesë tek ai 5 %. Edi Rama besoj se i ka lexuar deklaratat e pasurisë së deputetëve socialistë në ILDKP dhe të bëra publike në media që thonë se të paktën 15 deputetë socialistë në Parlament kanë miliona euro prona dhe llogari bankare. Dhe, në fakt Rama lëshoi një deklaratë të fortë që ngjan me një nxitje për trazira sociale, pasi të identifikosh shoqërinë në ultra të pasur dhe super të varfër është një shkelje syri për njerëzit e anti-ligjit që duan të mbushin boshllëkun me atentate ndaj rendit kushtetues. E çuditshme, por e vërtetë kreu i PS në thotë se 5 për qind janë ultra të pasur dhe 95 për qind të tjera janë të varfër, pa u cilësuar as si i pasur dhe as i varfër. Megjithatë përpos fjalimit anarko-patetik të Ramës ishte dhe fjala kryesore e sekretarit për rininë socialiste Erjon Veliaj, i cili na rifreskoi në mendje një refren të vjetër socialist: “Në Shqipëri ka 1 milion të papunë, ai që është ulur sot krah jush është i papunë. Ata janë të rinj, janë të shkolluar dhe janë të pashpresë”. Erjon Veliaj ia tha këto fjalë ndoca adoleshentëve që natyrisht nuk janë në punë, pasi nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe ata që e kanë mbushur auditorët universitete. Ajo që bie në sy është përzierja e demagogjisë politike me shpresën e të rinjve për punë dhe aventura.
Sakaq rinia duhet orientuar drejtë. Ajo duhet orientuar kah modeleve pozitive që ti shërbejë vetvetes, familjes dhe shoqërisë. Nuk mundet Erjon Veliaj të orientojë drejt energjinë dhe idetë e rinisë, i cili s’e ka idenë e punës dhe për më keq që është akuzuar për afera të dyshimta. Ai ka tradhtuar mjaft kolegë në organizatat e mëparshme politike. Dhe ata pak që nuk i ka tradhtuar i futur në postet kyç të forumit rinor eurosocialist duke larguar kontribuuesit e mëparshëm. Sigurisht rinia socialiste si forcë e madhe politike do të forcë ndryshuese kur të izolojë Velinë dhe kur të mos lejojë Edi Ramën të keqpërdorë PS-në për interesat e tij personale.
Gjithashtu sindroma e “21 janarit” dëften për një moment të rëndë patologjik të dëshirës për dhunë, si një refleks i kushtëzuar ndaj frustrimit të mospasjes së pushtetit. Edi Rama i mësuar të sundojë karaktere të dobëta sociale kërkon me padurim  të zotërojë mekanizma shtetërorë për të realizuar utopinë që e përndjek kaherë. Është një utopi si të gjithë të tjerat, që fillon me fjalë e premtime të mëdha dhe në fund përfundon në një dramë kombëtare. Shqipëria është një vend që ka prodhuar diktator dhe fijet e regjimit të vjetër janë rilidhur në kryesinë e PS-së. Mjafton të shikosh mbiemrat e deputetëve socialistë për të parë se ai kromozom totalitarist gjallon në heshtje gati për t’i sunduar sërish shqiptarët. Janë emra, atësi e mbiemra si Ilir Xhelil Gjoni, Ilir Hamit Beqja, Ledi Hamit Shamku, Ditmir Sulejman Bushati, Besnik Mit’hat Bare, Dashamir Myslym Peza apo A. Bilbil Klosi e nyje lidhëse mes dy brezave, po e luajnë fosilet Valentina Leskaj e Gramoz Ruçi. Sido që të jetë të rinjtë socialistë janë në gojë të ujkut. Janë plasteline në duart e këtyre mjeshtrave të shpërdorimit të energjive dhe ideve të mëdha. 

...