Bonucci ka marrë një vërejtje të vogël nga Chiellini në minutat e fundit të ndeshjes Barcelona-Juventus, e luajtur mbrëmë në Camp Nou dhe që përfundoi pa gola, 0-0.


Në kohën kur turma në Camp Nou po brohoriste ekipin e vet, fare pak minuta para vërshëllimës së fundit të gjyqtarit Kuipers, Bonucci i afrohet Messit për ti kërkuar fanellën pas ndeshjes.


Aty afrohet Chiellini, që duket se qorton bashkëlojtarin e vet sepse loja vazhdonte e ethshme.


Sipas ESPN, në imazhe Bonucci do të jetë duke i kërkuar fanellën sulmuesit të Barcelonës, një gjest që nuk i ka pëlqyer Chiellinit, në të nxehtit e lojës.


Në fund fanellën e pesë herë fituesit të Topit të Artë e mori Bonucci pas ndeshjes, duke e deklaruar këtë gjë si dhuratën më të bukur për djalin e tij.


Nga ana tjetër, Chiellini e ndërroi fanellën me Luis Suarez, duke lënë të kuptohet se kafshimi në Botërorin 2014 është diçka krejtësisht e harruar mes tyre.