Një lokal në Berat është mbyllur pasi ishte kthyer në shqetësim për qytetarët për shkak të muzikës së lartë, tej normave të lejuara.



Forcat e policisë, të lajmëruar nga qytetarët, shkuan në ambientet e lokalit ku konstatuan muzikën e lartë.


Uniformat blu i komunikuan pronarit të lokalit se duhet të ulte muzikën, por urdhri i tyre nuk u zbatua pas largimit të punonjësve të policisë.


Pas kësaj, uniformat blu janë rikthyer sërish në ambientet e lokalit dhe janë përballur me irritimin e pronarëve që janë konfliktuar me policinë, ndërsa gazetarëve u kanë kërkuar të mos filmojnë.


Ndërkohë është proceduar penalisht pronari i lokalit, 51-vjeçari me iniciale M. Ç., 51 vjeç, banues në Velabisht, njofton policia.


Gjithashtu, janë sekuestruar edhe pajisjet muzikore të lokalit.


lokal berat policia e shtetit


Njoftimi i plotë:


Vijojnë kontrollet e pandërprera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Berat, në subjektet tregtare, për respektimin e protokolleve të sigurisë.


Procedohet penalisht pronari i një lokali, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.


Sekuestrohen disa pajisje muzikore të lokalit.


Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat vijojnë kontrollet ndaj subjekteve që nuk respektojnë protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe vijojnë aktivitetin duke prishur rendin dhe qetësinë publike.


Nisur dhe nga shqetësimet e qytetarëve, se në lagjen 10 Korriku, një lokal vendoste muzikë të lartë, tej normave të lejuara, forcat e Policisë shkuan menjëherë aty dhe pas konstatimit të muzikës së lartë iu komunikua pronarit të lokalit se duhet të ulte muzikën, gjë e cila nuk u zbatua pas largimit të punonjësve të Policisë.


Në këto kushte punonjësit e Policisë kanë shkuar përsëri për kontroll dhe në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronari i lokalit, shtetasi M. Ç., 51 vjeç, banues në Velabisht.


Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar pajisjet muzikore të lokalit.


Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.