TIRANË, 25 Nëntor/ATSH-Klajdi Musabelliu/ - "VIZart International Watercolor", Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit dhe Bienalja e parë, e cila pasi solli në Shqipëri mbi 165 artistë nga më shumë se 50 vende të botës që ngjyrosën kryeqytetin dhe mbollën edhe fidanët e parë të këtij zhanri magjik të artit figurativ, ka shpërndarë së fundmi edhe çmimet "Ismail Lulani" për demostrimet më të mira të artistëve.

Përgjatë 5 ditëve (21-25 nëntor) u organizuan në kryeqytet disa shfaqje, perfomanca dhe aktivitete si çelja e tre ekspozitave, në Muzeun Historik Kombëtar, në panairin Klik Ekspo Group, dhe Qendrën Rinore, disa workshope dhe performanca live, ku artistët realizuan disa vepra në ambiente si "Pallati i Brigadave", "Sheshi Skënderbej", Dajt etj, aktivitete këto të cilat pasi e ngjyrosën Tiranën, e kthyen gjithashtu në qendrën dhe shtëpinë botërore të artit figurativ.

Mjeshtri Amit Kapoor nga India, Igor Sava nga Italia, dhe vëllezërit Indian Rajesh Sawant dhe Prafull Sawant u vlerësuan nga Shoqata Artistike VIZart, nën drejtimin e artistit Helidon Haliti, me çmimin "Ismail Lulani" për demostrimin më të mirë, çmime këto të cilat u paraprinë edhe nga mirënjohja dhe çmimet që dha edhe Panairi Klik Ekspo Grup ku "Shqiponja e Artë" e panairit ju dha mjeshtrit Amit Kapoor për realizimin e veprës në akuarelit të Dritëro Agollit, dhe Presidentit të Shoqatës së Akurelistëve të Botës, Atanur Dogan i cili falenderoi veçanërisht Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj për mbështetjen.

Ismail Lulani

"Piktori i Merituar", "Piktor i Popullit", Ismail Lulani artisti i lindur në vitin 1933 në Tuz, të Malit të Zi, ka qenë profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas vendoset me dëshirën e tij në qytetin e Shkodrës ku punon si profesor në Liceun artistik të këtij qyteti deri sa del si piktor në krijmtari të lirë.

Që në fillimet e tij, Ismail Lulani pasi mbaron Akademinë e Arteve të Bukura për pikturë monumentale, (në vitin 1967) puna e tij e diplomës "Ded Gjo Luli me trima", u vlerësua mjaft nga kritika e kohës.

Ismail Lulani ishte një ndër themeluesit e degës së arteve vizive (në shkollën e mesme artistike Prek Jakova) në qytetin e Shkodrës.

Artisti ishte anëtar i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ismail Lulani është një ndër piktorët më origjinal e më të fuqishëm në historinë e artit shqiptar. Ai ishte një piktor shumë aktiv në krijmtarinë e tij, eksploroi me mjeshtëri në të gjitha gjinitë e pikturës, si kompozim, peizazh, portret, natyra të qeta, etj.

Pikturat e tij shquhen për forcën dhe lojërat magjike të ngjyrës, për vizatimin ekspresiv dhe mjetet shprehëse.

Për meritat e tij, ai është nderuar me çmime dhe tituj të kalibrit të lartë si "Piktor i Merituar" (në vitin 1979), "Piktor i Popullit" (në vitin 1989), i është akorduar titulli "Naim Frashëri i klasit të Parë", në vitin 1999 në Bienalen e Romës për Artet Vizive merr çmimin e dytë dhe i jepet medalja e argjentë me tabllon (Ikja në Egjipt), ndërsa pas vdekjes, në 70-vjetorin e lindjes iu akordua titulli "Krenaria e Shkodrës" i cili iu dorëzua të shoqes së artistit.

Ismail Lulani mori pjesë në të gjitha ekspozitat lokale që u zhvilluan në qytetin e Shkodrës si dhe ato kombëtare që u zhvilluan në Tiranë. Rreth 20 punime të tij ndodhen në arkivat e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, si dhe shumë të tjera pronë e galerive e muzeumeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ai ka ekspozuar në shumë vende të huaja si Frascat, Romë (Itali), Paris (Francë), Linz (Austri), New York, Boston (USA), Toronto (Canada), Athinë (Greqi), Pekin, Shangai (Kinë), Irlandë, Rumani, Belgjikë, Beograd (Serbi), Podgoricë, Cetinj, Tivar, Ulqin (Mali i Zi), Prishtinë (Kosovë), Aleksandri (Egjipt), Turqi , Tunizi, Hungari, duke marë vlerësimet më të larta nga kritika e huaj. Shumë nga pikturat e tij janë pronë e koleksionistëve të ndryshëm në Francë, Austri, Itali, USA, Gjermani, etj.

Ai mbetet një nga emrat më të respektuar të Shkodrës dhe një nga emrat më të shquar në historinë e artit shqiptar.

Piktori shqiptar vdiq më 6 tetor të 2002 në moshën 69-vjeçare në qytetin e Shkodrës./m.m/