Fadil LepajaNga Fadil LEPAJA


Mogherin- i, hap mas hapi, po shkon. Me shumë gjasë që po ecë prej përgjegjësisë që ka, pa krye punë. Dada e Hashimit dhe e Acës , e cila për kaq kohë fotografohej në mes të dy çunave të zemëruar të lagjes ballkanike, po ikë pa arritur të i shtyj ata të nënshkruajnë një marrëveshje të madhe, histerike, Kosovë-Serbi, e cila pastaj do bëhej historike, dhe asaj dhe partnerëve në dialog, do tu sillte Nobelin.


Ajo po ikë e këta po na mbeten në derë, me gjithë retorikën e këtyre viteve për një marrëveshje të madhe, dhe së fundmi edhe atë për (mos)marrëveshjen për shkëmbim, përkatësisht korigjim territoresh. Retorika evropiane për të drejtat e komuniteteve dhe realitetin e ri shumë etnik, po zëvendësohet me ngulm , me retorikën e (ri)zbuluar për territore, pazare, (mos)marrëveshje sekrete…!


Kështu, Aca kërkon veriun e veriut të Kosovës, ndërsa Hashimi jugun e jugut të Serbisë. Nejse, e kuptuat se me emrin përkëdhelës Aca, do ta quajmë shkurt Aleksandrin, presidentin serb, duke ja harruar kështu me qëllim kuptimin që ka mbiemri i tij, kur përkthehet në shqip. Ai, bashkë me presidentin e Kosovës, aktualisht janë qifti më i popullarizuar, qifti sijamez i politikës ballkanike të Evropës.


Si të mos quhen çift sijamez kur ata kanë mbetur të lidhur kokë më kokë, pa mundur të ndahen dot, derisa të mos njihet Kosova nga Serbia, e këtë njohje, sipas presidentit kosovar, pritet ta bëjë Aca, vetëm nëse korrigjohen kufijtë. Pengesa e vetme, e cila po e pamundëson këtë akt patriotik, është populli i papërgjegjshëm, dhe kuptohet, opozita. Madje edhe pozita!


Pastaj shtrohet pyetja politikisht shumë me interes, nëse e duan sijamezët njëri tjetrin, apo jo? Nuk e duan! Që të dy ashtu kanë deklaruar dhe dukeshin shumë bindës. Dukeshin edhe sikur ja kishin shprehur njëri tjetrit këtë mungesë dashurie.


Unë nuk e dua Hashimin, dhe natyrisht as ai nuk më do mua, kështu ka folur Aca, për këtë mungesë të natyrshme dashurie në mes tyre. Por, kjo nuk ka të bëjë me çështjen kombëtare në përgjithësi. Aca bënë dallim. Për shembull nga retorika e tyre mund të besohet se Aca e do Edin. Edhe Edi e do Acën.


Marrëdhënia e tyre është shumë e ngrohtë, me deklarata plotë butësi politike. Thjesht, duhen! Prandaj, Edi e vuri taksën për kosovarët. Këtu e tutje nuk janë të njëjtë shqiptarët e Kosovës dhe ata të Kukësit , për shembull! Kosovarët do të jenë të njejtë me të gjithë tjerët, që kalojnë rrugës tonë (ndër)kombëtare. Nejse. Ne kosovarët i xhelozojnë sukseset e Edit.


Të kthehemi te Mogherini. Ajo e ka kuptuar tashmë se është në telashe. Ajo thumbit, Merkel patkoit. Kë reprezenton ajo, përderisa dihet se kë e përfaqëson kancelaria Merkel? Por, ajo, ende nuk e ka kuptuar që telashja kontinentale, madje edhe planetare nuk është ajo vet. Madje as Aca. Problematik është Hashimi.


Ky i fundit, u zbulua vet kur, pa e akuzuar kush, e kruajti atë pjesën pas veshi, e cila paragjykohet si pjesa ku fshihen mizat, dhe prej andej fluturoi një mizë. Ne jemi për marrëveshje, u betua ai.


Ne, si popull i papërgjegjshëm, nuk kemi tjetër zgjidhje përpos me i besua, Hashimit. Qysh edhe e dimë të gjithë, nuk ka premtim elektoral që nuk e ka realizua, e sidomos atë se do të jetë në krye të politikës kosovare deri në vitin 2020.


Duhet pranuar se jemi një popull i papërgjegjshëm dhe dembel. Nuk e ndjekim dot udhëheqësin. Në rregull, e ndiqnim dikur Rugovën, edhe pse nuk kishim shtet, edhe pse nuk bënte marrëveshje sekrete, por tash që kemi shtet, nuk e ndjekim dot presidentin, i cili po bënë marrëveshje sekrete. Nejse! Absurd!


Tash, kur jemi te tema e përgjegjësisë kolektive, në dashi me ditë, si popull nuk jemi kërkah. Duhet me u skuqë, kolektivisht, përpara udhëheqësve tonë institucional, rrush me merita, për kombin , regjionin, e me pretendime edhe për merita planetare.


Qysh mos me u skuqë, kur ata me përpjekëje mbinjerëzore arriten që nga populli më i terrorizuar në botë, nga një viktimë kolektive, arritën të na ri dizajnojnë imazhin duke na bërë të njohur botërisht si një popull agresiv, që nuk meriton institucione, e as të lëvizë lirshëm nëpër kontinent, dhe i cili mezi pret të ikë nga vendi i vet.


Pra, ky popull keq i ka punët. Nuk po e përcjell politikën. Nuk po i (mirë)kupton liderët e vet të cilët i do Mogherini. Qysh e dini edhe vet, për me qenë popull i përshtatshëm, për të cilin udhëheqësit politik munden me garantua për ta, duhet me qenë në radhë të parë të dëgjueshëm. Pastaj, a nuk e kemi parë këtë film? Nëse nuk dëgjojmë, na shpërngulin.


Qysh mundet me e shpreh një popull, ndjenjën e skuqjes kolektive? Me u veshë të gjithë tri ditë, me të kuqe? Ashtu si shpallet tri ditë zije dhe flamuri vihet në gjysmë shtizë, duhet të shpallen tri ditë të kuqe, dhe flamuri të lëshohet përtokë.


Sovrani te ne janë liderët institucional, se ata rizgjidhen derisa të mërziten, dhe vetëm një mënyrë e kanë të sigurt për të mos u rizgjedhur, e kjo është të mos kandidohen fare.


Çfarë do të bënte në fakt ky popull i shkretë sikur ata të mos kandidonin? Nuk do të mbijetonte. Shumë nga këta, të cilët ende nuk kanë ikur jashtë, për një jetë më të mirë, duke hipur mbi kokat e njëri tjetrit dhe duke u rrahur për një vend në autobus, menjëherë do të niseshin, me autobusin e parë. Por, kush do të organizonte edhe njëherë gjithë ato ikje spontane nga atdheu? E pamundur!


Deri më tash, jashtë vendi kanë mundë me dalë, kryesisht ata që kanë qenë mirë me Hashimin. Hashimin mos e shikoni si individ! Ai është simbol. Simbol i (pa)fuqisë tonë dhe dijes tonë politike.


Vërtetë, duhet besuar Hashimit dhe Acës, se ata nuk duhen mes vete, edhe pse shumë kohë kalojnë bashkë? Duhet! Vëllezërit sijamez nuk duhen. Ata duhen ndarë, për të mbijetuar.


20 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)