TIRANE - “Bazuar në gjetjet e raportit, Komisioni konfirmon rekomandimin e tij se Këshilli duhet t’i japë Shqipërisë statusin kandidat”: ky është përfundimi i raportit të ri që Komisioni europian ka hartuar pas kërkesës së dhjetorit të shkuar nga ana e vendeve anëtare. Raporti, një kopje të së cilit e ka siguruar Zëri i Amërikës, është i fokusuar në vlerësimin e përparimit të bërë në tre fusha kyce: në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe në reformat në sistemin gjyqësor.

“Shqipëria ka vazhduar të zbatojë dhe të konsolidojë masat e saj përsa i përket reformave që lidhen me BE-në, vecanërisht ato që lidhen me statusin kandidat. Ka patur një vullnet të vazhdueshëm politik për të vepruar me vendosmëri në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe reformat strukturore dëshmojnë një qasje gjithëpërfshirëse ku janë bërë pjesë një gamë e gjerë institucionesh. Reforma të rëndësishme legjislative janë ndërmarrë në luftën kundër krimit të organizuar dhe hetimet kanë dhënë rezultate pozitive në luftën kundër trafikut të lëndëvë narkotike dhe fusha të tjera të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar. Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e vet për reformën e sistemit gjyqësor, vecanërisht duke punuar me Komisionin e Venecias për të përmirësuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin e sistemit”, vlerëson raporti.

Dokumenti i Komisionit ndalet edhe në atë se cfarë Shqipëria duhet të bëjë për të ecur më tej në procesin e Integrimit europian. “Eshtë e rëndësishme që qasja sistematike ndaj reformave të vazhdojë ndërsa rezultatet e qëndrueshme do të jenë të një rëndësie kyce për integrimin e saj të mëtejshëm europian. Ky raport ka identifikuar ndërkohë një numër sfidash kyce, thelbësore që Shqipëria të përparojë më tej me vendosmëri në rrugën e saj të integrimit europian”, nenvizon raporti.

(er.nu/voa/BalkanWeb)