PRISHTINË- Dje qindra aktivistë të Lëvizjes Vetvendosja ndërmorën një aksion për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë, Në dy pikat kufitare, përkatësisht në Merdare dhe në Dheun e Bardhë. Protesta e tyre nisi nën moton “Sot, Serbia nuk kalon”, por u shpërnda në orët e mbrëmjes pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës. Shkopinj gome, e gaz lotsjellës është përdorur për të shpërndarë turmat e protestuesve, ndërsa raportohet për rreth 150 persona të arrestuar.
Në mesin e protestuesve edhe të plagosur. Aktivistët e Vetvendosje deklarojnë se janë dhunuar nga policia, mes tyre edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca. Të lënduar janë edhe aktivistët Hysen Kaqiku, Besfort Morina Alban Jupolli, Burim Hoqa,Valdrin Ahmeti. Raportohet se plagë të lehta ka marrë edhe vetë lideri i Vetvendosjes, Albin Kuri. Policia e Kosovës ka deklaruar dje se gjatë kësaj proteste janë plagosur 13 policë.Protestës së Vetvendosje iu bashkuan edhe shumë mbështetës nga Shqipëria, të cilë u bllokuan në kufi, e më pas u detyruan të kalojnë në këmbë për në Kosovë.
Rexhepi: Policia veproi në mënyrë profesionale
Ora 09:00- Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e ka arsyetuar përdorimin e forcës mbi protestuesit që kanë synuar të bllokojnë pikat kufitare në Merdar dhe Dheu i Bardhë, duke thënë se policia ka vepruar në mënyrë shumë profesionale.
“Policia ka përdorur forcën minimale proporcionale, konform situatës, prandaj mendoj se ajo ka vepruar në mënyrë shumë profesionale”, ka deklaruar ministri Rexhepi për “Kohën Ditore”, gjatë një bisede të shkurtër telefonike.
Ai nuk i ka cilësuar të tepërta as goditjet që kanë marrë protestuesit pas largimit nga vendi ku janë zhvilluar protestat.
“Natyrisht se edhe ata që shpërndahen, policia i orienton në drejtime të caktuara”, ka shtuar ai, duke iu shmangur shprehjes dhunë. Qëllimi i policisë gjatë gjithë kohës, sipas tij, ka qenë që të liroheshin rrugët dhe të mundësohej liria e lëvizjes.
Vetvendosje: Policia dhunoi protestën paqësore
Ora 08:30- Lëvizja Vetvendosje e cilësoi të dhunshme ndërhyrjen e policisë së Kosovës për të shpërndarë protestën paqësore, sic thonë ata.
“Protesta nuk ka eskaluar, por është sulmuar dhe shtypur nga ndërhyrja e dhunshme e policisë. Sot, Qeveria ka shfrytëzuar policinë për të shkaktuar dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke e bërë Kosovën shtet policor. Nga mëngjesi policia ka provuar ta parandalojë protestën. Rruga prej Besianës për në Merdar është bllokuar para mesditës. Asnjë automjet nuk është lejuar që të kalojë dhe, madje, as kalimtarët, pra as udhëtarët që kanë ecur këmbë”, thuhet më tej në komunikatën e Vetëvendosjes.
Konjufca: Shteti shkeli popullin për Serbinë
Ora 07:20- Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka qenë në mesin e personave të shumtë që të shtunën janë arrestuar nga Policia e Kosovës. Konjufca ka përshkruar për portalin Indeksonline momentet e arrestimit të tij dhe dhunën e policisë.
“Kam qenë në krye të turmës tek Dheu i Bardhë dhe policia ka ndërhyrë dhunshëm. Më kanë kapur dhe më kanë tërhequr zvarrë disa metra. Pastaj, më kanë goditur, fillimisht në bark, për të më vështirësuar frymëmarrjen e pastaj kanë pasuar disa goditje në kokë . Kam përshtypjen dhe nga shenjat e di që më kanë goditur me çizme në kokë. Më pas më kanë dërguar në një objekt të policisë, ku më kanë trajtuar mirë. Në stacionin policor nuk më kanë keqtrajtuar. Në orën 22:00 më kanë liruar, pas 4 orë ndalimi”, ka deklaruar Konjufca.
(ma.ar/BalkanWeb)
Lidhje te tjera PROTESTA DJE Kosovë, mes të arrestuarve edhe ideuesi i Newborn, Fisnik Ismaili Vetëvendosje: Ja emrat e të arrestuarve!