PRISHTINE- Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, e ka arsyetuar përdorimin e forcës mbi protestuesit, të cilet dje, duke iu përgjigjur thirrjes së lëvizjes Vetëvendosje kanë synuar ti bllokojnë pikat kufitare në Merdar dhe te Dheu i Bardhë.


Me gjithë numrin e madh të atyre që janë lënduar në këtë protestë, ai ka thënë se policia ka vepruar në mënyrë shumë profesionale.


Policia ka përdorur forcën minimale proporcionale, konform situatës, prandaj mendoj se ajo ka vepruar në mënyrë shumë profesionale, ka deklaruar ministri Rexhepi për Kohën Ditore, gjatë një bisede të shkurtër telefonike.


Ai nuk i ka cilësuar të tepërta as goditjet që kanë marrë protestuesit pas largimit nga vendi ku janë zhvilluar protestat.


Natyrisht se edhe ata që shpërndahen, policia i orienton në drejtime të caktuara, ka shtuar ai, duke iu shmangur shprehjes dhunë. Qëllimi i policisë gjatë gjithë kohës, sipas tij, ka qenë që të liroheshin rrugët dhe të mundësohej liria e lëvizjes.


Vetevendosja: Policia dhunoi protestuesit


Lëvizja “Vetvendosje” ka akuazuar policine per perdorimin e dhunes gjate protestes se tyre paqesore, diten e djeshme. Ajo ne nje komunikim me mediat e cilësoi të dhunshme ndërhyrjen e policisë së Kosovës për të shpërndarë protestën paqësore.


Protesta nuk ka eskaluar, por është sulmuar dhe shtypur nga ndërhyrja e dhunshme e policisë. Sot, Qeveria ka shfrytëzuar policinë për të shkaktuar dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke e bërë Kosovën shtet policor. Nga mëngjesi policia ka provuar ta parandalojë protestën. Rruga prej Besianës për në Merdar është bllokuar para mesditës. Asnjë automjet nuk është lejuar që të kalojë dhe, madje, as kalimtarët, pra as udhëtarët që kanë ecur këmbë, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.