18/07/2009  Artistja shqiptare Vaçe Zela është nderuar së fundi me mirënjohje edhe nga shoqata “Bashkimi i Intelektualëve Shqiptar të Zvicrës”. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të mirënjohjes ishin të pranishëm shumë personalitete dhe intelektualë shqiptarë me banim në Zvicër. Në motivacionin e mirënjohjes, të dorëzuar nga kryetari i shoqatës Abas Fejzullahi, shkruhej: “Bashkimi i intelektualëve shqiptarë të Zvicrës nderon me mirënjohje Artisten e Popullit, zonjën Vaçe Zela, ikonën e këngës dhe muzikës së lehtë shqiptare, që me zërin e saj frymëzoi e bashkoi shpirtërisht shqiptarët në mbarë hapësirën kombëtare e kudo në botë”. Artistja e Popullit e vlerësoi këtë mirënjohje dhe së bashku me bashkëshortin e saj, Pjetër Rodiqin, shprehën interesimin për të dhënë kontributin e tyre në këtë shoqatë. Shoqata “Bashkimi i Intelektualëve Shqiptarë të Zvicrës (BISHZ)” është themeluar më 29 nëntor 1997 në Bernë prej 130 intelektualëve shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Zvicër. Qëllimi kryesor i saj është bashkimi i potencialit intelektual shqiptar në Zvicër dhe vënia e tij në shërbim të çështjes kombëtare dhe të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ky bashkim ka dhënë mirënjohje dhe për shumë personalitete të tjera shqiptare në fusha të ndryshme të jetës.


Vaçe Zela lindi në qytetin e Lushnjës më 7 prill 1939. Ajo ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në Radio dhe më vonë në Radiotelevizion, që prej organizimit të parë të tyre në vitin 1962 e deri në vitin 1981, kur u largua nga skena. Prej shumë vjetësh jeton në Zvicër. Artistja e Popullit është nderuar me Urdhrin "Nderi i Kombit" nga ish-presidenti Alfred Moisiu.