E diela ka qenë një ditë arrestimesh në politikën shqiptare, ku janë përfshirë zyrtarë të lartë të mazhorancës dhe më konkretisht dy ish-deputetë të Parlamentit.


Edhe pse arrestimet nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, mësohet se në të dyja rastet kanë marrë pjesë gupe të forcave speciale të policisë pë të mos u dekonspiruar aksioni.


Nën masa të rrepta sigurie, si Ndoka ashtu edhe Çuko janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë.



Ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Arben Çuko, u arrestua, pasi dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv, gjatë kohës që ushtronte detyrën.



Urdhër arresti i Gjykatës së Krimeve të Rënda për ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve u ekzekutua këtë pasdite dhe Çuko u shoqërua në ambientet e Drejtorisë së Policisë në Tiranë.


Burimet nga grupi i hetimit tregojnë se Çuko dyshohet se ka marrë para për dhënien e lejeve për të dënuarit gjatë kohës që ai drejtonte institucionin e burgjeve.


Emri i tij doli gjatë përgjimeve të një të dënuari. Çuko u shkarkua nga detyra gati dy muaj më parë dhe u zëvendësua nga Stefan Çipa.


Motivacioni që e shoqëroi largimin e tij ishte për të përmirësuar punën e drejtorisë së burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë se brendshme, rritjes se efikasitetit dhe luftës kundër korrupsionit ne sistemin e burgjeve.


Çuko është drejtori i dytë i përgjithshëm i burgjeve që akuzohet për korrupsion në një kohë të shkurtër. Edhe paraardhësi i tij, Artur Zoto u arrestua dhe qëndroi një vit e gjysmë në burg, pasi u dënua nga shkalla e parë dhe më pas u shpall i pafajshëm. Para se të emërohej drejtor i përgjithshëm i Burgjeve, Çuko ka qenë deputet i Partisë Socialiste dhe komandant i Gardës së Republikës.



Pas arrestimit të ish-deputetit Çuko, një tjetër shoqërim i bujshëm nga policia është kryer ditën e sotme.



Mësohet se forcat RENEA kanë shoqëruar në komisariatin e policisë së Tiranës, ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndokën.


Në një deklaratë të Policisë së Shtetit thuhet se arrestimi i ish-deputetit është kryer pas urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën Arrest në burg. Ai dyshohet për veprat penale Falsifikimi i dokumenteve, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve, Shpërdorimi i tokës, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.


Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj. Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë. Megjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim, thuhet në njoftimin e policisë.


21 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)