Romantizmi i francezëve sidomos tek “Valsi i Zhuljetës”, klasikët gjermanë, ariet e famshme italiane, pa iu ndarë edhe patriotizmi shqiptar, do të përcjellin atmosferën festive të pavarësisë së Kosovës. Në Teatrin e Operës dhe Baletit mbrëmja e sotme do t’i ngjajë një koncerti politik, por dhe një lloj homazhi për ndërkombëtarët që dhanë kontributin për pavarësinë e Kosovës. Ajo që na e veçon si jo rastësi drejtori i TOB-it, Zhani Ciko, ka të bëjë me ekskluzivitetin e dukshëm të shenjës së respektit për të gjitha vendet e botës që kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës. Repertori i zgjedhur nga ariet e famshme botërore këtë kuptim ka. “Është edhe një zgjedhje simbolike. Por në këtë rast, ne nuk duhet të kuptojmë që ne do t’i kushtojmë çdo shteti nga një këngë për të falënderuar mbështetjen e tyre në çështjen e Kosovës, por në tërësinë e tyre duke sjellë veprat më të njohura të muzikës franceze, italiane, gjermane etj.”, - thotë Ciko. Ndërsa “antikuaret” e operës, zbulohen për herë të parë për anën patriotike të emocioneve shqiptare si uvertura e operës “Goca e Kaçanikut”, një premierë e vjetër e teatrit tonë, po kështu pjesë nga baleti “Shota dhe Azem Galica” e Nikolla Zoraqit, ose edhe pjesë të tjera që i bëjnë jehonë temës së historisë së Shqipërisë në artin muzikor shqiptar, siç është opera e Avni Mulës “Borana”, e cila do të interpretohet nga Shpresa Beka, apo opera e pabotuar e kompozitorit Zoraqi, “Fundi i golemeve”.





Sot në mbrëmje organizohet një mbrëmje gala, në kuadër të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Çfarë përmban të rëndësishme si pjesë historike ky koncert?





Për një ngjarje historike siç është kremtimi i pavarësisë së Kosovës mendoj se është një detyrë parësore për të gjithë shoqërinë shqiptare, ashtu edhe për artin, letërsinë e sidomos për institucionet që e laborojnë në këtë fushë. Kështu që Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit bashkë më Ansamblin e Valleve Popullore i përfshirë në të kanë menduar që kjo ngjarje të ketë një rezonancë të gjerë. Ndërkohë që sonte në mbrëmje institucioni organizon një koncert me një program mjaft të gjerë, “Mbrëmje gala për pavarësinë”, në Tiranë, e gjithashtu në të njëjtën kohë Teatri i Operës organizon edhe një tjetër koncert në skenën kosovare. Në bashkëpunim me ansamblin “Shota” do të japin një koncert të madh në këtë vatër të shqiptarizmit, e cila ka dhënë kaq shumë për çështjen e Kosovës.


Sa i përket koncertit që do të zhvillohet në skenë tonë kushtuar përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, jemi përpjekur që koncerti të mbajë jehonën e gjithë kësaj ngjarjeje që presupozon temën e Kosovës të parë nga e gjithë artistët kosovarë dhe ata shqiptarë. Kështu, sonte do të vihen pjesë të tilla si uvertura e operës “Goca e Kaçanikut”, një premierë e vjetër e teatrit tonë, po kështu pjesë nga baleti “Shota dhe Azem Galica” e Nikolla Zoraqit, ose edhe pjesë të tjera që i bëjnë jehonë temës së historisë së Shqipërisë në artin muzikor shqiptar, siç është opera e Avni Mulës “Borana”, e cila do të interpretohet nga Shpresa Beka, apo opera e pabotuar e kompozitorit Zoraqi, “Fundi i golemeve”. Kohët e fundit është ezauruar por nuk është shfaqur asnjëherë si vepër.


Është nga ato vepra që janë lënë mënjanë për shkak të mospërshtatjes së skemave të atyre viteve. Po ashtu, do të kemi edhe baletin e kompozitorit Çesk Zadeja, “Lumi i vdekur”, një duet mes Erisa Ginës dhe Ezdalin Goranit, valsi i dashurisë mes djalit kosovar dhe vajzës shqiptare që është një nga premierat tona që u përket viteve të fundit. Pra, janë pjesë që sjellin aspekte të ndryshme të këtyre lidhjeve historike dhe të përkatësisë së të njëjtit komb.





Keni ndërhyrë në këtë koncert edhe me arie nga më të famshmet, ato botërore, ka ndonjë synim kjo me përvjetorin e pavarësisë së Kosovës?





Në këtë koncert nuk do të mungojnë edhe homazhet për ndërkombëtarët, për të gjithë ata që bënë të mundur të realizohet kjo festë. Duke filluar që nga muzika franceze, siç është “Valsi i Zhuljetës”, nga opera “Romeo dhe Zhuljeta” në gjuhën franceze, aria e famshme “Vincero” (Fitoj) e cila shkon më së mirë edhe me tematikën dhe atmosferën e aktivitetit tonë. Po kështu do të ketë pjesë edhe nga muzika amerikane, siç është pjesa “Amerika, Amerika”, një moment shumë i gëzueshëm nga muzikali “West Side Story” dhe për t’u mbyllur më tej me himnin e Evropës, me pjesë nga finalja e nëntë e simfonisë së Bethovenit në gjermanisht, e cila vjen si simboli i triumfit të lirisë dhe të barazisë së njerëzve. Pra, ky është edhe një koncert që përmban një buketë mirënjohje të shprehur në gjuhën franceze, italiane, gjermane, në gjuhën e këtyre vendeve që kanë dhënë kontributin e tyre në komitetin ndërkombëtar për lirinë dhe pavarësisë e Kosovës. Në vizionin tonë si artist, krahas vlerësimit të kulturës kombëtare nuk duhet të harrojmë kurrë se po i realizojmë aspiratat tonë për liri, demokraci dhe për unitet kombëtar mbi bazën e integrimit në Evropë, NATO dhe bashkëveprimit me të gjitha vendet e mëdha. Në një farë mase, sot kuptimi i kombëtarisë, i asaj çfarë është e jona është e lidhur me bashkëveprimin në këtë fushë dhe nuk është e shkëputur. Ky është një koncept që i ka këto parametra.





Pra, po më thoni që me anë të disa fragmentesh artistike ju po nderoni në një farë mënyre ato kombe, të cilat kanë kontribuar në njohjen e pavarësisë së Kosovës?





Po, me anë të disa fragmentesh në shenjë respekti. Gjithashtu është edhe një zgjedhje simbolike. Por në këtë rast, ne nuk duhet të kuptojmë që ne do t’i kushtojmë çdo shteti nga një këngë për të falënderuar mbështetjen e tyre në çështjen e Kosovës, por në tërësinë e tyre duke sjellë veprat më të njohura të muzikës franceze, italiane, gjermane. Kështu në një farë mase tregon prezencën e muzikës së këtyre vendeve që ne i respektojmë në aktivitet në repertorin tonë, tamam si ai miku që e nderojmë duke e lënë në krye të vendit.





Asnjë prej institucioneve tona kulturore nuk është impenjuar në kremtimin e kësaj feste me aktivitete. Pse opera i jep kaq rëndësi të posaçme kësaj feste të Kosovës?





Unë do të flas në konceptin e drejtuesit të këtij institucioni. Duke qenë një institucion mbarëkombëtar, nuk mundet të bëjë kalendarin e shkëputur ose të qëndrojë pavarësisht nga ajo që aspiron publikun. Populli do t’i festojë festat, si ato kombëtare, të komuniteteve të ndryshme, apo edhe ndërkombëtare. Pra, opera më shumë se çdo institucion tjetër duhet të jetë prezent, sipas mundësisë, apo vlerat që mbart pa kaluar në konceptet skematike që i adresohen sa për të realizuar një koncert, por duke i konceptuar këto programe të lidhura me përmbajtjen e këtyre ditëve të festave. Kjo është pjesë e politikës së institucionit. Pastaj nëse këto koncerte do të vlerësohen nga organizma shtetërore që i japin autoritet dhe mbështetje me prezencën e tyre, kjo është një gjë shumë e mirë. Bërthamat e saj ne i kemi të parashikuara në punën tonë që të mos kërkojë koncerti i një feste të rëndësishme prishje programacioni. Kjo është krejtësisht e gabuar për mua dhe as që mund të ndodhë. Mendoj se është një përvojë që mund të ndërgjegjësohet, si në Tiranë, por edhe nëpër rrethe. Duhet të ketë një përdorim të fondeve të bashkisë, apo prefekturave përkatëse edhe për aktivitete të tilla. Shpeshherë disa prej tyre edhe kanë bashkëpunuar me ne dhe ne e kemi mirëpritur bashkëpunimin.





Gjatë kësaj mbrëmjeje, çfarë vendi do të zënë të ftuarit, qoftë edhe artistë nga Kosova?





Kemi menduar që të ftuarit do t’i kemi gjatë gjithë muajit. Nuk kishim asnjë lloj problemi që të ftonim artistë sa për të qenë këtu, por ne menduam që këtu janë krijimtaria e Kosovës. Kemi hapur po ashtu edhe një mbrëmje që u kushtohet të gjithë të rinjve kosovarë që studiojnë në Akademinë e Arteve. Më vonë, është një tjetër koncert, në formën e një ftese kundrejt të rinjve të Akademisë së Prishtinës për të ardhur dhe prezantuar prurjet më të mira të tyre. Ne do t’i njohim zërat e tyre dhe do të jetë një bazë për ndërtimin e marrëdhënieve të tjera, jo thjesht mbrëmje me ftesa kortezie, por mbrëmje për të ndërtuar raporte më të ngushta profesionale e të vlefshme.





Në repertorin e kësaj mbrëmjeje shoh edhe një vals të njohur dashurie, muzikë franceze, siç është ai i Zhuljetës. Cila është lidhja e kësaj pjese me një mbrëmje me tematikën patriotike, atdhetare?





Ky është një koncert i gëzuar, festiv. “Valsi i Zhuljetës” është vepër e një kompozitori francez, pra është pjesë e homazhit për kontributin e vendeve frankofone dhe është një vals gëzimi si një nga pjesët më brilante për të festuar një festë. Miqtë që janë ftuar dhe të vendosur në krye të vendit do t’i ftojmë edhe për të kërcyer bashkë me ne. Në këtë rast do të shijojmë bukurinë e këtij valsi brilant. “Unë dua të jetoj” me këtë titull duan të jetojnë shqiptarët, kosovarët edhe francezët etj., kjo është arsyeja e sjelljes së kësaj pjesë të gëzueshme.