Specialisti i monumenteve, Valter Shtylla, duket se do të jetë drejtori i ri i Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Prezantimi zyrtar i tij pritet të bëhet të martën, datë 9 dhjetor, e më pas Shtylla të nisë detyrën në pozicionin e ri, të cilën e ka pasur edhe disa vite më parë. Emërimi i Shtyllës vjen kur kanë kaluar më shumë se dy muaj që nga dorëheqja e drejtorit të mëparshëm, Lorenc Bejko. Prej asaj kohe, ky institucion funksionon pa titullarin e tij. Pak ditë pas dorëheqjes, Bejko e motivoi largimin e tij me mungesë të vullnetit politik për ngritjen e nivelit profesional të të gjitha hallkave kyçe të sistemit të trashëgimisë në Shqipëri. Pas 15 muajsh punë të Bejkos, duket se kjo sfidë i mbetet tashmë Shtyllës, i cili prej vitesh është pjesë e këtij institucioni dhe kjo e ndihmon ta njohë gjendjen në tërësi. Gjithsesi, drejtimi i Institutit të Monumenteve të Kulturës është kthyer në një sfidë të vërtetë. Brenda pak vitesh janë ndërruar disa drejtorë, disa të shkarkuar, edhe me motivin e shpërdorimit të detyrës (rasti i Apollon Baçes, i akuzuar nga ministri Ylli Pango). Gjithçka do të shihet në vazhdim të funksionimit të këtij institucioni të trashëgimisë, të cilin Shtylla do ta gjejë në prag të një viti të ri pune. Valter Shtylla lindi më 21 maj 1942 në Tiranë. Ai është pjesë e Institutit të Monumenteve dhe punon në këtë institucion që në kohën kur ky i fundit u krijua, më 1965-ën. Në vitin 1970, Shtylla ka kryer Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në kryeqytet, duke vazhduar edhe punën si punonjës shkencor në sektorët e monumenteve të arkitekturës antike dhe mesjetare. Gjatë viteve të para të punës së tij në sektorin e lartpërmendur, ai ka kryer aktivitete në terren në të gjithë Republikën, për gjurmimin, seleksionimin dhe vënien në mbrojtje nga shteti të vlerave të ndryshme të trashëgimisë kulturore, siç ishin objektet e kultit dhe ato të hershme inxhinierike, si dhe për konservimin e monumenteve të kultit. Në fushën e studimeve, objekt i prof. Valter Shtyllës kanë qenë ndërtimet e hershme inxhinierike si: rrugët, urat, ujësjellësit, banjat etj., duke realizuar kështu një dokumentacion të pasur grafik dhe fotografik për arkivin e institutit. Në këtë fushë, Shtylla ka botuar rreth 40 artikuj studimorë në organe të ndryshme të shtypit dhe kryesisht në revista e buletine shkencore, brenda dhe jashtë shtetit. Gjithashtu ai ka marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare të ndryshme me kumtesa dhe diskutime mbi pasurinë kombëtare kulturore shqiptare. Gjatë viteve ‘94-‘97 ai ka qenë në detyrën e drejtorit të Institutit të Monumenteve. Që prej 20 vjetësh Shtylla gëzon të drejtën e mbajtjes së titullit "Doktor i Shkencave" dhe "Bashkëpunëtor i Vjetër Shkencor", ndërsa prej vitit 1995 ai mban titullin "Profesor Doktor".