Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit është një institucion i komunitetit muzikor skenik. Ai i përket artistëve protagonistë, por nuk mund të jetë i tillë nëse nuk vlerëson dhe të gjithë ata më të vegjlit, (pavarësisht nga vlera artistike, që mund të jetë superiore ndonjëherë), pa të cilët nuk opera në skenë.. Shumë nga këto role shpesh i japin udhë zhvillimit të dramës a komedisë, rreth se cilës hyjnë si në vorbull protagonistët, madje disa nga këto personazhe dytësorë ndodh që mbahen mend më shumë se ndonjë protagonist, që vetëm këndon me art, por i varfër në interpretim skenik.

Vangjo Kosta, këngëtari- autor, zbërthyes përmes tingujve i karaktereve skenike, të individualizuara prej tij, është edhe sot në 75- vjetorin e lindjes së tij kaq i veçantë e më personalitet, sa në vitet aktive të interpretimit. Transmetimi i përvojës me rolet e tij dhe me të tjera gjëra që bëjnë pjesë në bagazhin e tij kulturor është aktualisht tepër i çmuar për studentët e Akademisë së Arteve dhe artistët e rinj në përgjithësi. TKOB i është mirënjohës artistit Vangjo Kosta për atë që ka bërë, bën dhe do të bëjë për progresin e artit lirik shqiptar. Vangjo Kosta u lind në 25 mars, të vitit 1934, në Korçë. Që në moshë të vogël është angazhuar në jetën muzikore të qytetit të tij të lindjes. Deri në vitin 1959 ka qenë aktivist në lëvizjen amatore në Tiranë dhe Kuçovë, si këngëtar. Ndërkohë, në vitin 1960 i akordohet një bursë studimi për të ndjekur studimet e larta për kanto, në konservatorin e Sofjes, në Bullgari, në klasën e pedagogut të madh bullgar Bromorov, (fatkeqësisht vetëm për një vit). Pas ndërprerjes së studimeve, për arsye që tashmë dihen kthehet në atdhe dhe vazhdon studimet në konservatorin shtetëror të Tiranës, në klasën e mjeshtrit Mihal Ciko (themelues i katedrës së kantos), ku edhe diplomohet në vitin 1964, me rezultate shumë të mira. Një vit mbas përfundimit të studimeve emërohet në Teatrin e Operës dhe Baletit, në sektorin e solistëve lirikë, tenor. Në këtë teatër punoi deri në vitin 1988 ( vit në të cilin doli në pension). Krahas punës si solist lirik Vangjo Kosta është aktivizuar edhe si asistent regjisor dhe regjisor, duke vënë në skenë kështu disa vepra skenike, përfshi këtu opera, opereta, koncerte të ndryshme etj. Repertori koncertor i këtij tenori është i gjerë dhe i larmishëm, ku përfshihen arie, romanca, pjesë koncertore, këngë, këngë popullore të përpunuara etj. Ky repertor është materializuar në qindra koncerte të debutuara në skenën e TKOB, në skenat shqiptare dhe jashtë saj, si Bullgari, Poloni, Rumani, Kinë e më gjerë. Krahas aktivitetit si këngëtar lirik, Vangjo Kosta ka dhënë kontributin e tij edhe në fushën e pedagogjisë së kantos dhe për një periudhë të gjatë pranë Akademisë së Arteve, ( në degën e muzikës ka drejtuar klasën e operës). Gjatë aktivitetit të tij si solist në TKOB ka realizuar një sërë rolesh nga operistika jonë dhe ajo botërore. Mund të përmendim këtu disa prej tyre: në operat tona përmendim Heroina në 1967; Skënderbeu në 1968; Brigada e grave në 1969; Dhëndëri u transferua në 1974; Karnavalet në 1978; Komisari në 1975; Zgjimi në 1986; Përtej mjegullës në 1977; Berberi i Seviljes në 1979; Madame Baterflaij 1966 e shumë të tjera. Ka realizuar rolin e Nikollaqit te filmi artistik shqiptar te filmi Komunistët, në 1980. Tenori Vangjo Kosta ka qenë një ndër tenorët e operës që ka realizuar me shumë sukses në skenën e TKOB-së një galeri të tërë rolesh, sidomos ato të karakterit. Ai është aktivizuar gjithashtu edhe si asistent regjisor dhe regjisor në disa opera si Traviata, Karnavalet etj. Duke shfletuar dosjen artistike të këtij artisti vëmë re se gjatë një interviste të sopranos së madhe shqiptare Ermonela Jaho midis të tjerash ajo shprehet: Çdo sukses të karrierës sime ia dedikoj plotësisht formimit tim në shkollën e Tiranës dhe sidomos pedagogut tim të kantos Vangjo Kostës. Mësimet dhe këshillat e tij më ndjekin në çdo hap që hedh në këtë profesion të vështirë. Edhe një herë i urojmë lumturi artistit tonë të shquar, tenorit Vangjo Kosta, në këtë 75 vjetor lindjeje.

Nga Zamir Këlliçi, muzikolog