Petrit Vasili



LSI i pergjigjet flake per flake PS-se. Akuza te ashpra midis sekretareve

Me të dëgjuar qëndrimin e Partisë Socialiste, përmes sekretarit të saj, Blendi Klosi, LSI-ja ka deklaruar se lideshipi socialist duhet të heqë dorë nga procesi sistematik dhe i turpshëm i bojkotimit të komisionit të reformës zgjedhore. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, nuk ka qëndruar prapa Klosit në artikulimin e shprehjeve të ashpra politike. Ai ka deklaruar se fton lidershipin e PS-së “të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga procesi sistematik dhe i turpshëm i bojkotimit të institucioneve, në mënyrë të veçantë atyre kushtetuese, dhe t’i rikthehet funksionimit dhe pjesëmarrjes në komisionin përkatës të reformës zgjedhore, i cili është i vetmi që ka të drejtën në këtë vend për të propozuar një ligj konkret për një çështje kyçe, sikurse është sistemi zgjedhor”. Vasili ka deklaruar se lidershipi socialist gjithashtu duhet të heqë dorë nga presionet që u bën mediave, duke akuzuar në mënyrë të tërthorë kryetarin e kësaj partie, njëherësh dhe kryetar i Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën. “Të heqë dorë nga presioni bashkiak të shpenzuar mbi median e lirë, për një arsye të etikës morale të socialistëve, që nuk e kanë pasur kurrë si traditë censurën, por këtë dimension ia kanë lënë si ekskluzivitet Sali Berishës”, tha ai. Duke iu referuar lëvizjes së fundit politike të iniciuar nga partia e tij, Vasili tha se në të ka vend për të gjithë ata që e gjejnë veten tek “E majta për integrim”, në programin, në alternativën, në sinqeritetin dhe në ridimensionimin e së majtës së vërtetë. “Kushdo mund të gjejë pozicionin e vet, se ku e ka vendin në të “Majtën për integrim”, sepse për fat të keq sot ne shohim që PS-ja është në krizë përfaqësimi”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i LSI-së