VATIKAN-Papa Gjon Pali i Dytë dhe Papa Gjoni i 23-të janë shpallur sot shenjtorë në një ceremoni të ndjekur nga mijëra besimtarë në Vatikan, por edhe në mbarë botën. 

Papa Françesku dhe paraardhësi i tij, Papa Benedikti XVI, kanë udhëhequr ceremoninë e sotme në Vatikan, për t’i nderuar dy liderët më karizmatikë të Kishës Katolike duke i shpallur të shenjtë.

 Njëri prej tyre, Papa Gjon Pali II, i lindur në Poloni si Karol Wojtyla, është vlerësuar se i ka kontribuar shkatërrimit të komunizmit gjatë periudhës 1978 – 2005, sa ishte Papë. 

Tjetri është Papa Gjoni 23, i lindur si Angelo Giusepe Roncalli në Itali, i cili u bë i njohur si “Papa i mirë Gjon” teksa ai ishte kreu i Vatikanit, në periudhën 1958 – 1963. 

Ceremonia e shenjtërimit është mbajtur në Sheshin e "Shën Pjetrit" dhe nëpër rrugët e afërta të Romës. Në ceremoni, po ashtu, ishin të pranishëm afro 150 kardinalë dhe më se 1 mijë peshkopë. 
Në kryeqytetin Italian kanë mbërritur mbi 1 milionë pelegrinë, dhe janë angazhuar mbi 10,000 forca të sigurisë. 

Me rastin e shenjtërimit të dy Papa-ve në Vatikan kanë mbërritur 122 delegacione të huaja.

PAPA GJON PALI I II
Papa Gjon Pali i II realizoi një papat të pazakontë që zgjati gati 27 vjet. Ai ishte Papa që shëtiti më shumë në histori. Udhëtimet e tij, të mbledhura bashkë, kapin një distancë të barabartë me 31 rrotullime rreth globit. vizitoi 129 vende, dhe emëroi më shumë shenjtorë se të gjithë paraardhësit e tij të marrë së bashku dhe përshëndeti rreth 17 milionë besimtarë në Vatikan.

Lëvizjet e Papës u kufizuan nga disa sëmundje kryesisht nga aj e Parkinsonit, megjithatë ai deri në fund vazhdoi të kryente detyrën e tij të shenjtë. Miliona njerëz morën pjesë në ceremoninë e lamtumirës së njeriut që i kishte mbijetuar pushtimit nazist dhe kishte dënuar komunizmin. 

Procesi i shenjtërimit të Papa Gjon Palit ishte më i shpejti në historinë modern pasi pasardhësi i tij, Papa Benedikti, vendosi ta kapërcejë rregullin e Kishës që normalisht kërkon një periudhë pritjeje pesë-vjeçare para se të fillojnë procedurat e para të shenjtërimit dhe nisi procesin menjëherë pas vdekjes së Gjon Palit. Duhet të konfirmohen dy mrekulli sipas Vatikanit për shpalljen e një shenti.

Mrekullia e parë e Papa Gjon Palit ishte shërimi i një murgeshe franceze që vuante nga Parkinsoni, sëmundje nga e cila vuante dhe vet. Në 19 dhjetor 2009 Gjon Pali i II u shpall "I Nderuar" nga Papa Benedikti. Lumturimi i tij u bë në maj 2011.

Ndërsa mrekullia e dytë që i atribuohet ndërhyrjes së Papës Gjon Pali i II, është kurimi i pashpjegueshëm i një gruaje nga Kosta Rika. 

Në prill të vitit 1993 Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë. Sapo zbriti në aeroportin “Nënë Tereza” ai u ul në gjunjë dhe puthi tokën shqiptare.
"Përvoja juaj e vdekjes dhe e ringjalljes i përket gjithë Kishës dhe gjithë botës. Çdo njeri duhet të reflektojë rishtas mbi gjithçka lidhet me Jezusin, që u dënua me vdekje dhe u kryqëzua dymijë vjet më parë. 

Duhet të reflektojë edhe mbi çka ju ngjau ju gjatë disa dhjetëvjeçarëve të shekullit XX! Është e drejtë të shikosh përpara për të rindërtuar një ardhmëri të lirë, me fytyrë njerëzore, por përvoja e kaluar nuk duhet harruar, për të shmangur përsëritjen e të njëjtave gabime të një periudhe shumë të mjerueshme… të paparë në rrjedhën e historisë…"- iu drejtua Papa Gjon Pali II shqiptarëve.

(a.n/BalkanWeb)