Me promovimin e së shtunës në Nju Jork, në organizimin e Federatës panshqiptare “Vatra”, përfundoi paraqitja disaditëshe shumë e suksesshme e “Kosovës” në SHBA.

Kryetari i “Vatrës”, Gjon Buçaj, me këtë rast tha, se prezantimi i “Kosovës” në vitin jubilar të 100 vjetorit të pavarësisë, paraqet një ngjarje të rëndësishme, meqë komuniteti shqiptaro-amerikan nderoi një vepër të rëndësishme, për të cilën qysh tash mund të thuhet se paraqet kullën e historiografisë shqiptare. “Me këtë vepër, autori ka hapur një rrugë të pandalshme nëpër të cilën historiografia jonë jo detyrimisht duhet të shkojë tash e tutje”, tha Buçaj. Edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Nju Jork, Bekim Sejdiu, paraqitjen e veprës së Buxhovit në Nju Jork dhe disa qytete të tjera amerikane, e vlerësoi si një kontribut të rëndësishëm të autorit që komuniteti shqiptaro - amerikan, aq i rëndësishëm për qenien tonë shpirtërore dhe shtetërore, të nderohet në një mënyrë të veçantë.

Në këtë promovim për veprën e Buxhovit folën publicistët: Dalip Greca, Idriz Lamaj, Fran Shkreli dhe Sinan Kamberaj. Dalip Greca, pos tjerash tha se Buxhovi, si shkrimtar i njohur, i cili në letrat shqipe paraqitet shumë i suksesshëm dhe si autor që me veprat siç janë “Shënime e Gjon Nikollë Kazazit”, trilogjinë “Prapë vdekja” dhe “Libri i Bllacës” ka lënë gjurmë të pashlyeshme, me “Kosovën”, historiografisë sonë ia hapi shtigjet e reja që drejt rishqyrtimeve të domosdoshme, të cilat çojnë kah lirimi nga kthetrat e historiografisë serbomadhe dhe stereotipet ideologjike. Idriz Lamaj, duke u përqendruar te pjesa e parë, vlerësoi se Buxhovi bëri një punë te madhe kur iu kthye tezës pellazge, meqë ajo erdhi nga rilindësit tanë. Lamaj tha se qëndrimi i Buxhovit rreth lashtësisë pellazge, shqiptarët i kthen në qendër të antikitetit dhe të qytetërimit botëror, ku në të vërtetë ata edhe kanë qenë, por me pa të drejtë janë injoruar nga të tjerët.

Duke folur për pjesën e dytë të “Kosovës”, Fran Shkreli, pos tjerash tha se Buxhovi ia doli që të hedhë dritë të re mbi kohën e Perandorisë Osmane dhe kompleksitetin e saj. Shkreli vlerësoi se vepra e Buxhovit nga kjo pikëpamje paraqet një kontribut të veçantë historiografik, ngaqë thyen konvencat e deritanishme bardh-zi rreth kësaj problematike me të cilat historiografia jonë është plot e përplot, që në njëfarë mënyre paraqesin lajthitje të mëdha. Interpretimi krizës lindore dhe i rolit të shqiptarëve në të, është pasqyrimi më komplet rreth kësaj çështje, që është paraqitur deri më tash në historiografinë tonë.

Pas fjalëve hyrëse, të pranishmit shtruan shumë pyetje autorit si dhe patën rastin të pajisen me veprën, tirazhi i së cilës u shit brenda një kohe të shkurtër.