15/06/2005  Gjin Lulashi fshihet në zonën e thellë malore të Dukagjinit


SHKODER - Burimet zyrtare nga komisariatit i policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se grupi i punës, që ndodhet në fshatin Palaj të komunës së Shoshit, të zonës së Dukagjinit, ende është duke punuar për zbardhjen e vrasjes së dy ditëve më parë në atë zonë si dhe për kapjen e autorit të veprës penale të vrasjes, shtetasit 24-vjeçar Gjin Lulashi, i cili kishte qëlluar për vdekje me pistoletë shokun dhe bashkëfshatarin e tij, shtetasin 29 vjeçar Sokol Mhilli.


Sipas burimeve jozyrtare, hetimet janë duke u përqëndruar në dy pista të ndyshme për sa i përket përcaktimit të saktë të vendit të ngjarjes, pasi vendi ku kanë pirë së bashku të dy shtetasit është paraqitur në dy variante, ku njëri variant paraqet shtëpinë e një shtetasi si vendin ku kanë qenë duke pirë, dhe tjetri një klub të fshatit. Ndërsa për të realizuar kapjen e autorit të vrasjes forcat e policisë vazhdojnë të krehin zonën e thellë malore, pasi mendohet se i kërkuari mund të fshihet diku në atë zonë, të cilën e njeh shumë mirë, nisur edhe nga fakti se ky shtetas është lindur dhe rritur aty.