Solucioni për tejkalimin e krizës politike në Kosovë nuk ka shpresë se do të gjendet, për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Sipas qeverisë, kauza e opozitës për protesta ka rënë poshtë, ndërsa fronti opozitar po kërkon dorëheqjen e ekzekutivit. Me këto qëndrime bllokada vazhdon, shkruan gazeta Zëri.

Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e Asociacionit nuk e ka lehtësuar tejkalimin e krizës politike në vend, madje vetëm sa është thelluar përçarja në mes të pushtetit dhe të opozitës.

Pushtetarët kërkojnë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin dhe asaj për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërsa opozitarët tani përveç anulimit të marrëveshjeve kërkojnë edhe dorëheqjen ose rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

Analistët thonë se situata politike në vend do të tensionohet edhe më shumë në ditët dhe javët në vijim, por sipas tyre nuk do të rrezikohet rendi dhe siguria publike, shkruan gazeta Zëri.

Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Zyrën e Presidentes ka thënë se qëndrimet e presidentes së vendit janë të njohura dhe se ajo po angazhohet për tejkalimin e krizës politike në vend.

Qëndrimet e presidentes Jahjaga janë të njohura. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga të gjitha institucionet dhe subjektet politike.