Historia e vajzës 18-vjeçare nga Gramshi, e cila humbi jetën në spitalin e Elbasanit pas një ndërhyrje kirurgjikale, është risjell sot në emision Me zemër të hapur në News24.


Familjarët e Ketjona Ibrahimit, dy motrat dhe kunati i saj, me dhimbje të madhe kanë treguar kalvarin e vuajtjeve se si ndodhi ngjarja që i mori jetën adoleshentes. Ata akuzojnë mjeken kirurge për mjekim të pakujdesshëm, J. Maksutin, 43 vjeçe dhe kanë bërë edhe denoncim ndaj saj, shkruan BalkanWeb.


Motra


Ketjona u ndje keq me dhimbje barku, dhe të vjella. Më pas e çuan në spitalin e Gramshit. Pasi i vunë serume, dhe ilaçe pa fund, nuk e qetësuan dot. Ajo vetëm bërtiste, kishte dhimbje të forta. Na thanë mjekët që niseni për në Elbasan. Nëna më njoftoi edhe mua dhe e çuam në Elbasan, dhe atje i bënë shumë serume. Dhe nuk kishin ide se çfarë kishte motra. Ajo bëri dy operacione. E hapën në vezore, dhe thanë se nuk kishte gjë. Më pas e bënë operacion nga tëmthi, ia hoqën. Por nuk gjetën gjë, pohoi e pikëlluar motra e saj. Sakaq, kunati i Ketjonës i bëri thirrje shtetit që të hetojë lidhur me këtë ngjarje, ndërsa pohoi se familja kërkon drejtësi.


Mes të tjerash motra e 18-vjeçares tregon më tej ndërsa shton se askush nga spitali i Elbasanit nuk jepte informacion kur ata kërkonin mjeken kirurge. Ajo pohon mes të tjerash se një mjek roje i kishte pohuar se doktoresha mund të ishte edhe në gjumë. Pyeta se ku është doktoresha, por më thanë se: Nuk mund ta zgjojmë nga gjumi, ajo mund të vij në orën 8-9 apo dhe 10.


Si ndodhi ngjarja tragjike

Mesnatën e 7 korrikut Ketjona Ibrahimi ndjeu dhimbje të forta barku dhe të vjella. Në orën 02.30 të mëngjesit ajo është dërguar në spitalin e Gramshit ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Por pasi gjendja nuk është përmirësuar, është dërguar në urgjencën e qendrës spitalore Xhaferr Kongoli në Elbasan. Edhe në urgjencë nuk është përmirësuar, ndaj është kërkuar ndihma e specializuar nga mjekët kirurgë. Pasi janë konsultuar mjekët kirurgë kanë arritur në përfundimin se ajo mund të kishte hemorragji në vezore dhe organet e riprodhimit. Ndaj pas kësaj konsulte është dërguar në maternitet. 18-vjeçarja i është nënshtruar operacionit në maternitet por mjekët nuk kanë konstatuar hemorragji në organet e riprodhimit. Ata kanë konstatuar një lëng të përhapur në hapësirën e barkut. Ndaj është rikthyer në kirurgji. Mjekja J. Maksuti ka kryer pastrimin e lëngut dhe më pas e ka futur pacienten në reanimacion. Është dyshuar edhe për probleme në mëlçi me tëmthin. Fill pas kësaj procedure gjendja e saj është përmirësuar. Ajo ka komunikuar edhe me familjarët. Por në mbrëmje, në orën 22:00 vajza ka shfaqur konvulsione të forta dhe, megjithëse është ndërhyrë duke aplikuar gjithë procedurat në këto raste, ajo nuk ka mbijetuar. Ketjona Ibrahimi u operua në spitalin e Elbasanit dy ditë më parë, por pas ndërhyrjes ajo ka ndërruar jetë. Sipas autopsisë, është konstatuar se problemi ka qenë në mushkëri dhe se vdekja ka ardhur nga mpiksja e gjakut në mushkëri.