Tre efektivët e policisë që kishin detyrë të ruanin Enea Ftojin në qelitë e paraburgimit të Korçës ende nuk i kanë mbyllur hesapet me drejtësinë, pavarësisht se ekspertiza mjeko-ligjore tregoi se 27-vjeçari nuk ka ndërruar jetë nga ushtrimi i dhunës ndaj tij.


Prokuroria ka ngritur akuzën për tre efektivët e komisiariatit të Korçës, për mosdhënie ndihme ndaj Enea Ftojit, që ndërroi jetë në ambientet e paraburgimit.


Edhe pas konkluzioneve të ekspertizës mjeko ligjore, hetimet po vijojnë dhe fakti, që 27-vjeçari nuk ka vdekur nga dhuna, nuk do të thotë, që policia nuk ka përgjegjësi penale për vdekjen e tij.


Madje, ekzistojnë prova që faktojnë se efektivët e policisë, nuk i kanë dhënë ndihmë Enea Ftojit, edhe pse ai kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë dy ditëve që kishte qëndruar në qeli.


Policia ka shkelur rregulloren e trajtimit të të shoqëruarve dhe nuk ka kryer kontrolle periodike në qelinë e 27-vjeçarit. Prokuroria po vlerëson të gjitha provat dhe dëshmitë e grumbulluara dhe pritet të vërë nën akuzë, të paktën tre efektivë të Komisariatit të Korçës.


21 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)