21/02/2005  Pse Noli e quajti kundërshtarin e tij kryesor për postin e peshkopit, Antoni Athanas, si bashkëpunëtor të grekëve. Cilat ishin relatat mes tyre? Lobi grek shfrytëzon mosmarrëveshjen për synimet e saj. Si ishin marrdhëniet e qeverisë komuniste me shoqëritë dhe vatrat shqiptare të ngritura në Amerikë? Një shqiptar çon pesë kisha amerikane në gjyq.


“Marrëdhëniet shqiptaro-greke, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta, në librin e tij. Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit, është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë, gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.


Nga ana e tij, misioni i Shqipërisë bënte llogari të tjera. Ai parashikonte se do të kishte shumë kundërshtime dhe luftë nga grupi i Antoni Athanasit, kur do të shpallej emërimi i Laskos si peshkop dhe priste që, në këtë situatë, Noli, i nxitur nga kundërshtarët dhe i inkurajuar nga miqtë si, Risko etj., mund të bënte një deklaratë, ku do të denonconte A. Athanasin si një “bashkëpunëtor” të grekëve dhe, do t`u bënte thirrje vatranëve ta dëbonin atë dhe të gjithë “tradhëtarët” e të arratisurit nga “Vatra”. Halim Budo shpresonte se kjo thirrje do të kishte rezultate, pasi në diasporën e Amerikës, kishte tradita në luftën kundër grekëve dhe, gjithashtu, në udhëheqjen e “Vatrës” kishte kundërshtarë të vijës së ashpër, që po ndiqte ajo ndaj qeverisë komuniste të Shqipërisë. Ai parashikonte që, kjo “përleshje” do të çonte edhe në heqjen e Nolit nga “Vatra”, gjë, që do të shkaktonte largimin në masë të vatranëve prej saj. Këtë rezultat e dëshironte më së shumti qeveria shqiptare. H. Budo, njoftonte MPJ se, i kishte kërkuar G. Riskës që, të paktën, të arrihej ky rezultat, d.m.th, shkatërrimi i “Vatrës”.


Pra, situata ishte komplekse. Po zhvillohej një rezistencë kundër politikës së qeverisë komuniste, e cila po përpiqej të fuste nën kontroll ose të shkatërronte “Vatrën”. Nga ky ballafaqim, po përpiqeshin të përfitonin grekët. Antoni Athanas dhe krerët e tjerë të emigracionit antikomunist të Amerikës, po përpiqeshin që pasardhësi i Nolit te mos ishte nën influencën komuniste. Ndërsa, Noli kërkonte që ai të emërohej nga Sinodi i KOASH. Këtu ishte burimi i tensionit, i cili i kishte ashpërsuar relatat midis tyre. Në këtë situatë të tendosur, Viktor Caco-kryetar i kishës së Detroitit i dërgoi një letër kryesisë së Peshkopatës, në të cilën kërkonte që Marko Lipa, të caktohej zëvendëspeshkop dhe më vonë të zëvendësonte Nolin.


Prifti korçar, spiuni kundër Nolit


Ndërsa zhvilloheshin këto ngjarje, qeveria shqiptare ishte shumë e shqetësuar edhe për lojën, që po bënte zbulimi grek, i cili, kohët e fundit, kishte nxjerrë hapur në skenë priftin korçar, Krist Ellesin kundër Nolit dhe po e përgatiste atë që të zinte vendin e tij. Misioni i Shqipërisë në OKB informonte se, “ky prift grekofon dhe shumë reaksionarë, është më i vlefshëm për grekët se Marko Lipa i demaskuar, por, për neve, është më i rrezikshëm”. Prandaj, ai kërkonte që të merreshin të gjitha masat e nevojshme për ta sabotuar atë. Misioni i Shqipërisë në OKB paralajmëronte MPJ: “Në rast se zbulimi grek do ta arrinte këtë synim, humbjet tona do të shtriheshin edhe në kolonitë tona në vende të tjera. Zbulimi grek e propaganda shoviniste do të penetronte thellë nëpërmjet kishave dhe predikimeve të priftërinjve, të cilët, eventualisht do të zëvendësoheshin me grekomanë. Kështu, zbulimit grek do t`i hapeshin mundësi më të gjera për të rekrutuar agjentë e mercenarë nga radhët e kolonive tona. Do të bënte më shumë zhurmë me deklarata e peticione nëpër organizatat ndërkombëtare, sidomos në OKB, lidhur me pretendimet absurde greke, etj.”. Nuk është e qartë nëse, grekët vërtet kishin zgjedhur si person për të zëvendësuar Nolin pikërisht Krist Ellesin, por konkluzioni i diplomatëve shqiptarë mbi qëllimet e tyre ishte i drejtë. Qeveria shqiptare i vlerësonte drejt rreziqet, por interesat e saj të ngushta politike dhe vija e saj e ngurtë ideologjike, po e pengonte që të gjente zgjidhjen adekuate. Politika e saj po çonte në drejtim të kundërt-në dobësimin e institucioneve kombëtare në diasporën shqiptare të Amerikës.


Më 13 mars 1965, Noli vdiq. Situata në kishën shqiptare u keqësua dhe lufta politike po thellohej. Më 26 mars, Lasko paraqiti gjithë dokumenctacionin e dorëzimit të tij si peshkop. Ballafaqimi i Peshkopatës dhe i “Shqipërisë së Lirë” nga njëra anë me “Vatrën” dhe me emigrantët politikë nga ana tjetër, u ashpërsua më tej.


Peshkopata ishte në rrezik pasi, disa kisha dolën hapur kundër saj. Në këtë situatë, grekët riaktivizuan Marko Lipen dhe po përpiqeshin të fusnin në dorë këshillin e kishave dhe kishat shqiptare të SHBA. Brenda “Vatrës” po ndodhte një diferencim politik. Disa elementë përkrahës të qeverisë së Tiranës, po largoheshin prej saj dhe po aderonin në organizatën “Shqipëria e Lirë”. Krerët e emigracionit politik po tregoheshin më të rezervuar në betejën politike, që po zhvillohej brenda kishave shqiptare të SHBA, për arsye se, ata ishin të shqetësuar ngaqë situata mund të keqësohej dhe të shfrytëzohej nga grekët. Ata bënë thirrje për një rregullim me Laskon . Ndërsa misioni i Shqipërisë në OKB, i propozoi MPJ, ndjekjen e një vije të fortë, vazhdimin e punës për demaskimin e “Vatrës” dhe të udhëheqësve të saj, A. Athanas, Athanas Gega, Kristo Thanasi e Qerim Panariti, fuqizimin e “Shqipërisë së Lirë” dhe ribashkimin në të ardhmen e atyre kishave, që ishin shkëputur nga Peshkopata .


Marko Lipa hedh në Gjyq katedralen e Bostonit


Në vitin 1966, Marko Lipa ngriti një padi gjyqësore kundër Peshkopatës, por e humbi atë. Ai hodhi në gjyq pesë kisha të Peshkopatës: Katedralen e Bostonit, kishat e Sauthbrixhit, Natikut, Usterit dhe kishën indipendente në Boston, që drejtohej nga prifti Mihal Terova. Lipa, pretendonte se këto kisha i takonin atij si peshkop “shqiptar”. Ky gjyq bëri që A. Athanasi dhe grupi i tij antikomunist, ta përqendronin goditjen kundër M. Lipes. Kështu, filluan të shfaqen tendencat e kapërcimit të përçarjeve me grupin e Laskos. Në vitin 1969 situata ndryshoi. A. Athanasi u afrua përfundimisht me Laskon dhe goditja u përqendrua kundër M. Lipes . Kuvendi i Peshkopatës i këtij viti u përshkua nga fryma e kompromisit midis dy grupeve kundërshtare i (“filokomunistëve” dhe “antikomunistëve”) dhe nga lufta e tyre e përbashkët kundër grekomanëve për ruajtjen e peshkopatës nga Marko Lipa, duke u dhënë një goditje të fortë përpjekjeve të tij . Kuvendi i vitit 1970 e forcoi dhe më shumë peshkopatën. Asaj iu bashkuan edhe disa kisha të shkëputura më parë, si kisha e Filadelfias dhe kisha që drejtonte M.Terova. Kuvendi hodhi poshtë me 95% të votave të delegatëve një propozim për t`i hequr peshkopatës emrin “shqiptare”.


Megjithëkëtë, më vonë, presioni i vazhdueshëm i Patriarkanës së Stambollit bëri që, peshkopata shqiptare e Amerikës, të bënte lëvizje të tjera për ta kundërbalancuar atë. Në shtator të vitit 1970, u bë një përpjekje për bashkimin shpirtëror të peshkopatës shqiptare me kishën ruse në Amerikë. Bashkimi ishte projektuar i atillë, që të mos cënonte pavarësinë e kishave shqiptare. Antoni Athanasi u shpjegoi diplomatëve shqiptarë në Nju Jork se, bashkimi me kishën ruse synonte që t`i priste rrugën përpjekjeve të Patriarkanës dhe të Vatikanit për të shpërndarë peshkopatën shqiptare në SHBA. Por, këto bisedime dështuan, për arsye se krerët e kishës ruse parashtruan kushte të papranueshme për shqiptarët.


Shkatërrimi i fesë në Shqipëri, ndikim në diasporë


Shkatërrimi i institucioneve fetare në Shqipëri i dha efektet e veta negative edhe në diasporë. Në këto rrethana, Patriarkanës së Stambollit iu krijuan kushte më të favorshme për të goditur këtë vatër patriotike të emigracionit shqiptar. Për të neutralizuar këtë goditje dhe presionin grek, peshkopata shqiptare e Amerikës u bashkua në vitin 1972 me kishën ortodokse lindore amerikane, e cila, në fakt, kontrollohej nga kisha ruse, pasi asnjë nga kishat e emigrantëve të kombësive të tjera nuk kishin aderuar në këtë institucion. Ky bashkim shënonte një hap prapa, pasi kisha shqiptare humbiste diçka nga pavarësia e saj. I plotfuqishëm bëhej sinodi rus më 10-12 peshkopë, në të cilin bënte pjesë edhe Lasko me të drejta të barabarta, por që kishte vetëm një votë. Qeveria shqiptare e shihte rrezikun më të madh në perspektivë, sepse, sipas marrëveshjes së bashkimit, në rast se vdiste peshkopi shqiptar, sinodi rus emëronte një peshkop administrator, derisa kuvendi i peshkopatës të zgjidhte një kandidat shqiptar, i cili përsëri duhej të miratohej nga sinodi rus. Megjithëkëtë, në vitet që pasuan, karakteri kombëtar shqiptar dhe pavarësia e KOASH të Amerikës, u ruajt përkundër përpjekjeve për ta shtënë në dorë atë. U ruajtën edhe organizatat e rëndësishme patriotike të emigracionit shqiptar në SHBA, “Vatra” dhe “Shqipëria e Lirë”.


Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Greqisë dhe Shqipërisë në vitin 1971 u mirëprit nga diaspora shqiptare. Organizatat kryesore të emigracionit shqiptar, e vlerësuan atë si një hap pozitiv në sigurimin e Shqipërisë, për uljen e tensionit dhe për forcimin e lidhjeve e marrëdhënieve midis dy vendeve. “Dielli” shkruante se, “me një vendim të tillë, qeveria greke tregoi një urtësi të rrallë. Ajo hedh poshtë politikën dhe qëndrimin e padrejtë të deridjeshëm dhe hap rrugën për bashkëpunimin e fqinjësinë e sinqertë”. Me këtë rast, në këtë gazetë u kritikua politika e gabuar e ndërtimit të aleancave nga qeveria shqiptare, së cilës i përcillej mesazhi se, mirëkuptimi, që tregoi qeveria nacionaliste greke, duhej “të shërbente si një mësim i mirë për komunistët e Shqipërisë” . Çtensionimi i marrëdhënieve midis dy vendeve solli një relaks politik edhe në diasporë.


Ortodoksët shqiptarë në Turqi, nën koloninë greke


Një ballafaqim i gjatë dhe i rëndësishëm i politikës dhe i kishës greke me emigracionin shqiptar u zhvillua në Turqi. Deri në vitin 1960, për arsye të mungesës së marrëdhënieve diplomatike midis Turqisë dhe Shqipërisë, emigracioni shqiptar në këtë vend ishte i privuar nga lidhjet me atdheun e tij dhe pa asnjë mbrojtje. Kjo rrethanë ishte shfrytëzuar për mrekulli nga grekët. Diplomacia dhe zbulimi grek e kishin të vështirë të krijonin në Turqi organizata “vorio-epirote”, për arsye se ata i druheshin diskretitimit të Patriarkanës. Por, veprimtarinë dhe politikën e tyre këtu, grekët e realizonin me anë të Patrikanës dhe klubit “Rum”, i cili kishte mbi 10 mijë anëtarë nga radhët e grekëve të Stambollit. Zbulimi grek po përpiqej që t`i mbante ortodoksët shqiptarë të Turqisë nën influencën e kishës greke. Synimi i mëtejshëm ishte që, t`i inkuadronte ata brenda kolonisë greke dhe, pastaj, të krijonte me ta organizata “vorio-epirote”.


Për këtë qëllim, zbulimi grek, i mbështetur nga Patriarkana e Stambollit, organizonte fushata antishqiptare, për t`i nxitur ortodoksët shqiptarë të merrnin nënshtetësinë greke. Deri në mesin e viteve 60, rezultatet kishin qenë të pakta. Vetëm 170 vetë kishin marrë nënshtetësinë greke. Në të vërtetë, puna e zbulimit grek kundrejt kolonive shqiptare ishte shumë e hershme. Ajo i ka fillimet që me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe gjithmonë ka patur si objektiv greqizimin e emigrantëve ortodoksë shqiptarë, kudo që ndodheshin, duke i organizuar e lidhur me organizatat “vorio-epirote” dhe me organizatat kishtare të varura nga Patriarkana e Stambollit. Athina ka synuar vazhdimisht që, t`i përdorë këta elementë për të nënshkruar peticione drejtuar organizmave ndërkombëtare në mbështetje të pretendimeve territoriale greke kundrejt Shqipërisë. Sipas një raporti të Sigurimit të Shtetit, zbulimi grek kishte mundur të penetronte deri në kryesitë e shoqërive patriotike shqiptare në Stamboll, në Boston, në Buenos-Aires, etj. Ai ishte shtrirë kryesisht në SHBA, në Egjypt, në Turqi e në Australi, ndonëse nuk i kishte arritur synimet e tij të lartpërmendura.


Një rol parësor në politikën konvertuese greke luante Patriarkana e Stambollit. Jo vetëm në kohën e sulltanëve, por edhe gjatë gjithë periudhës së Republikës Turke, ajo kishte mundur të zbatonte metodën e numërimit ose klasifikimit të ortodoksëve shqiptarë si ortodoksë rumë. Statistikat shtetërore turke dhe, aq më tepër, ato të Patriarkanës nuk japin shifra se sa nga ortodoksët në Turqi ishin shqiptarë, bullgarë, serbë, etj. Por ato, pa marrë parasysh kombësinë, i klasifikonin këta si ortodoksë rumë.


Niveli i ulët kulturor i ortodoksëve shqiptarë bënte që, një pjesë e tyre të mos ishin në gjendje të dallonin fenë nga kombësia. Kështu, në të kaluarën shumë familje shqiptare nuk kishin mundur t`i rezistonin në masën e duhur luftës së pandërprerë të Patriarkanës për rumelizimin dhe helenizimin. Nga ana tjetër, ortodoksët shqiptarë, ishin të detyruar t`i bënin ditët ceremoniale, si vdekje, dasma etj., në kishat rume.