Vetëm pak orë nga nxjerrja e trupit të minatorit, i cili humbi jetën gjatë ditës së sotme në një nga galeritë e minierës së Bulqizës kanë ardhur dhe lëvizjet e para nga policia e këtij qyteti. Tre persona nga stafi drejtues i firmës ku i ndjeri punonte janë shoqëruar në komisariatin e policisë lidhur me rastin në fjalë. Sipas policisë janë arrestuar Administratori i firmës ku punonte Dilevar Koci, Ramazan Nesimi, përgjegjësi i ajrimit, Bardhyl Rama dhe tekniku Sabah Hoxha.

 


Minatori Dilevar Koci, 53 vjec humbi jetën në thellësitë e tokës në galeritë e Bulqizës, pasi një masiv i madh dheu e ka zënë poshtë, duke e lënë atë të vdekur në vend, gjatë kohës që po punonte për nxjerrjen e kromit në minierë. Ngjarja e rëndë u shënua në minierën 41, rreth 600 metra nën tokë.

 


Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes së rënde, por dyshohet se mungesa e kushteve të sigurisë kanë shkaktuar tragjedinë e radhës në galeritë e Bulqizës. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka nisur hetimet paraprake. Vitet e fundit janë regjistuar shumë viktima në minierat e Bulqizës por edhe në Kalimash, në Tropojë etj.

 


Vitin e shkuar nje minator ka humbur jeten si pasoje e shperthimit te gazit ne minieren e Bulqizes, nderkohe 8 te tjere kane mbetur te plagosur. Po ashtu, disa të tjerë kanë vdekur, pasi i ka zënë masivi i dherave në galeritë e braktisura.