Një ngjarje e rëndë është regjistruar në maternitetin e Kukësit, ku një nënë 40-vjeçare dhe foshnja e saj kanë humbur jetë gjatë lindjes.


Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur sot në mëngjes rreth orës 08.30, ku u njoftua se gjatë lindjes ka gjetur vdekjen Nurije Poçi, 39 vjeçe, banuese në Kukës, së bashku me foshnjën e saj.


Viktima së bashku me foshnjën, ndodhen në morgun e spitalit të Kukësit. Ekspertët mjeko-ligjore të ardhur nga Tirana si dhe grupi hetimor, po punojnë për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.


Familjarët kanë dyshime për çfarë ka ndodhur, ndërsa janë në pritje të kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore. Ata thonë se ngjarja është e dyshimtë prandaj edhe kanë kërkuar hetime të mëtejshme për rastin në fjalë.


Gruaja ishte nënë e gjashtë fëmijëve dhe kishte shkuar në spital për të lindur fëmijën e shtatë, të seksit mashkull.


Gjatë mesditës ka qenë Drejtori i Spitalit të Kukësit që ka sqaruar për mediat rastin tronditës, duke thënë se pacientja u paraqit në urgjencën e maternitetit Kukës në  gjendje të rëndë shëndetësore, me diagnozën fetus morti me laceracion dhe rupture të shprehur të uterusit”.


Sipas deklaratës së drejtorit të spitalit, fetusi ka qenë i vdekur në barkun e nënës shtatëzënë.


Për pacienten u ndërhy menjëherë në sallën e reanimacionit nga ekipi i mjekeve gjinekologë, kirurgë dhe anestezistë reanimatorë, ku bënte pjesë edhe mjeku kirurg nga Tirana, i cili po jep shërbim në spitalin e Kukësit përmes programit të bonusit, shtoi më tej ai.


Ndërkohë një detaj tepër i rëndësishëm sipas drejtorit të Spitalit të Kukësit është se pacientja kishte tentuar disa herë në shtëpi të dëmtonte barrën për shkak të problemeve sociale dhe është paraqitur në spital në gjendje të rënduar me hemorragji të shprehur.


“Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka vijuar gjendja e rende e pacientes te cilës gjate kësaj kohe i është dhënë 5 njësi gjak dhe 3 njësi plazem por ka qene pa puls periferik gjate gjithë kohës”, sqaroi në vazhdim drejtori i spitalit.


Sipas tij pavarësisht përpjekjeve të mëdha të ekipit mjekësor e sëmura ndërroi jetë në orën 01:30, pas mesnate.


12 mars 2018 (gazeta-Shqip.com)