Ish-kreu i SHIK-ut ka vdekur dje në banesën e tij ku ndodhej vetëm gruaja dhe dy fëmijët. Rrëfimi i të shoqes

TIRANË- Ndërron jetë pas një sëmundjeje të gjatë Bashkim Gazidede. Ashtu siç edhe u rikthye tre vjet më parë në Shqipëri, në heshtje të plotë, po kështu është larguar përfundimisht nga kjo jetë. Rreth orës 18-të të ditës së djeshme, në prani të të afërmve të tij, Bashkim Gazidede ka mbyllur sytë pas lëngimit nga një sëmundje e rëndë. Dhe pse prej gati një viti sëmundja ka ligështuar trupin e tij, kurrsesi nuk e ka braktisur detyrën e marrë përsipër fill pas ardhjes së tij në Shqipëri. Drejtimi i Hipotekës dhe përfundimi i shtatë librave, kryesisht mbi matematikën, duket se ka qenë misioni i tre viteve të fundit të njeriut më të anatemuar në Shqipëri, Bashkim Gazidede. Por ai nuk mundi që t’i shpëtonte kancerit.


Rreth orës 18-të krejtësisht në paqe ka mbyllur sytë. Momentet e fundit të jetës i ka ndarë, me gruan Letën dhe dy fëmijët e tij. Përveç njerëzve të gjakut, askush tjetër nuk është gjendur në shtëpinë e thjeshtë, një pallat pesëkatësh, pas pikës së Postës Shqiptare nr 8 në lagjen “Tirana e Re”. Vetëm pas, dy orësh, miqtë e tij kanë mbajtur frymën tek dera e shtëpisë së Gazidedes. Dhomat janë aq të vogla sa disa fqinjë të pallatit kanë hapur dyer e mortit. Ndërsa në apartamentin e thjeshtë, Leta mirëpret çdo kënd që kërkon të ndajë dhimbjen me të. Megjithëse vdekja në shtëpinë e saj ishte e pritshme, Leta ende nuk ka veshur të zezat. Për të është ende e pabesueshme që njeriu i jetës së saj është larguar kaq shpejt prej tij. “Por nuk i kam pishman asgjë. Çfarë ishte për të bërë i janë bërë të gjitha”,- të thotë Leta me lot në sy. Gruaja e njeriut më të përfolur në Shqipëri, rrëfen se asnjë çast nuk është bërë pishman për jetën që ka kaluar me Bashkim Gazideden. Çdo çast i jetës së tyre ka qenë i përbashkët, si në Shqipëri ashtu edhe në Turqi ku për vite të tëra familja e saj ka jetuar në arrati.


Nga ajo sa rrëfen Leta, edhe pse sëmundja kohët e fundit kishte ligështuar trupin e tij, Gazidede nuk ka reshtur asnjë sekondë së punuari. Ashtu me karrocë nëpër shtëpi, herë merrej me librat, herë ndihmonte atë në punët e shtëpisë. “Të paktën ka përfunduar librat e tij. Të gjithë të botuar dhe kjo ishte gjëja që e gëzonte së fundi”- të tregon me lot në sy bashkëshortja e Gazides. E rrëfimit të saj i bashkohen edhe gratë e tjera të fisit, ndërkohë që burrat sipas zakonit, kanë nisur të merren me ceremoninë mortore. Por kjo duket se nuk do të jetë ajo e një njeriu të thjeshtë që përcillet në banesën e fundit. Qeveria ka marrë përsipër organizimin e një ceremonie mortore zyrtare. Kështu mësohet se sot rreth orës 11.00, në sallën e kuvendit do të zhvillohen homazhe. Trupi i pa jetë i Bashkim Gazidedes do të dergjet për t’u përcjellë jo vetëm nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar por edhe nga të njohurit e tij. Më pas, rreth orës 13.00, familjarët kanë vendosur të zhvillojnë një ceremoni krejtësisht private, ku nga apartamenti i thjeshtë, trupi i pajetë do të përcillet për në banesën e fundit.


GAZIDEDE


Bashkim Gazidede njihet jo vetëm si një nga profesorët më të mirë të fizikës në vend por dhe si besimtar i devotshëm i besimit Musliman. Edhe gjatë kohës që ai ka qenë në detyrën e Shefit të Shërbimit Inteligjent i kryente të gjitha ritet fetare të besimit mysliman.


ARGIMI


Bashkim Gazidede është larguar nga Shqipëria dy ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit 1997, ku fitues u shpall koalicioni i partive të majta. Duke qenë se opozita e majtë e kishte akuzuar si shkaktarin kryesor të represionit shtetëror ndaj saj, Gazidede u detyrua të largohej për të mos rrezikuar jetën e vet dhe të familjes së tij.


Gazidede dhe librat e “numrave”


Asnjëherë nuk i ka pëlqyer publiciteti jo vetëm tani, por edhe kur ishte në kulmin e pushtetit të vet. Pavarësisht tymnajës së ngritur rreth aktivitetit të tij si shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar në vitet 1992-1997, Bashkim Gazidede vazhdon me një vullnet të hekurt t’i shërbejë shtetit shqiptar. Burri që konsiderohet tejet enigmatik është krejt ndryshe kur bëhet fjalë për pasionin e tij të hershëm, mësimdhënien. Kur flitet për fizikën nuk është më i ftohtë, i prerë, pa asnjë shprehje në fytyrë, por është gati të shpjegojë me orë të tëra rreth kësaj bote që quhet fizikë dhe matematike. Këto vite të ashpra nuk ia kanë zbehur aspak pasionin ish- mësuesit më të mirë të fizikës dhe matematikës që u kthye në një “simbol“ të qeverisjes së vendit nga PD. Duket se është pikërisht ky pasion që e bën Gazideden t’i përkushtohet kësaj lënde krahas detyrës së tij në zyrën e Regjistrimit të Pasurive. Të duket se nuk ka as edhe një sekondë të kohës, që Gazidede e harxhon pa lënë diçka pas. Ka përgatitur deri më tani tre libra, të katërtin e ka në botim e sipër e ndërsa në çantën e tij të madhe mban librin e pestë. Rikthimi i Gazidedes 3 muaj pasi PD erdhi në pushtet


Bashkim Gazidede është rikthyer në Shqipëri në fund të vitit 2005 pas tetë vitesh arratie. Ish- kryetari i SHIK-ut në kohën kur Berisha ishte president i republikës, është rikthyer në Shqipëri pa bërë aspak bujë. Ai ka zbritur nga avioni dhe ka kaluar të gjitha procedurat si të gjithë shtetasit e tjerë shqiptarë, pa i dalë asnjë problem. Më pas Gazidede është rikthyer në shtëpinë e tij në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pallati i SHIK-ut në kryeqytet. Pak kohë më vonë, në një intervistë, ai ka shpjeguar se tetë vjet kishte qëndruar kryesisht në Turqi. Nuk vonoi dhe Berisha i shpërbleu heshtjen duke i akorduar një post të rëndësishëm. Gazidede u bë kreu i hipotekave shqiptare, post që mbajti deri në fund të jetës së tij.


Nga 21 gushti 1998 e deri në korrik 2003, pesë vitet e hetimeve të prokurorisë për “krime kundër njerëzimit”


Rrëzimi i akuzave për ish- kryespiunin


Më 21 gusht të vitit 1998, prokurori ushtarak Aleksandër Goga nxori nëntë urdhër-arreste për ish- funksionarë të lartë shtetërorë, të akuzuar për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit gjatë trazirave të vitit 1997. Në listën e zezë të Gogës ishin Safet Zhulali, ish- ministër i Mbrojtjes, që tashmë nuk jeton më; Bujar Rama, nëndrejtori i SHIK- ut, Halit Shamata; Bashkim Gazidede, drejtor i SHIK- ut; Blerim Çela, kryetar i KLSH-së; Armando Vinçani, zv/shef i shtabit të përgjithshëm, Adem Çopani, Kreshnik Lusha, dhe Sokol Mulosmani, ish-shef i komisariatit të Vlorës dhe më pas Komandant i Kompanisë Operative në Gardën e Republikës. Sipas hetimeve të prokurorisë, ata rezultonin fajtorë për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit. Pak kohë më pas, Prokuroria e Përgjithshme lëshoi edhe dy urdhër-arreste të tjera për Gazideden. Një për veprën penale të dezertimit të kuadrit komandues në situatën e gjendjes së jashtëzakonshme dhe një tjetër për shpërdorim të detyrës. Sipas akuzës, Bashkim Gazidede, me detyrë kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar dhe Agim Shehu, drejtori i përgjithshëm i policisë dhe zv/ministër i Rendit Publik, u larguan nga Shqipëria, duke braktisur detyrën. Katër vjet më pas, të gjitha akuzat për Bashkim Gazideden u tërhoqën nga prokuroria shqiptare. Fillimisht është shfuqizuar urdhër-arresti për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit. Prokuroria, në datën 10 korrik të vitit 2001, për mungesë provash, pushoi çështjen ndaj gjashtë të akuzuarve për krime kundër njerëzimit. Safet Zhulali, ish- ministër i Mbrojtjes, që tashmë nuk jeton më; Bujar Rama, nëndrejtori i SHIK- ut, Halit Shamata; Bashkim Gazidede, drejtor i SHIK- ut; Blerim Çela, kryetar i KLSH-së; Armando Vinçani, zv/shef i shtabit të përgjithshëm, Adem Çopani, Kreshnik Lusha dhe Sokol Mulosmani që nga ajo datë nuk ishin më persona të shpallur në kërkim dhe persona me procedim penal të hapur. Më pas ishin shfuqizuar edhe dy urdhër-arrestet e tjera për dezertim të kuadrit komandues në situatën e gjendjes së jashtëzakoshme dhe shpërdorim detyre. Megjithëse urdhër-arrestet ishin shfuqizuar prej dy vitesh, burokracia ka bërë që emri i Gazidedes të hiqet vetëm në korrikun e vitit 2003 nga lista e personave të shpallur në kërkim.


Qeveria pagoi me fondin rezervë të gjitha shpenzimet prej 7.4 milionë lekësh për të dyja vizitat në spitalin e Milanos


Gazidede u kurua dy herë në Itali


Sëmundja e Bashkim Gazidedes ka qenë e njohur prej kohësh dhe qeveria e kishte dërguar atë dy herë për kurim në Itali. Për herë të parë ai ka udhëtuar drejt Italisë në nëntor të vitit 2006 kur ka bërë vizitat e nevojshme mjekësore. Të gjitha shpenzimet e kësaj vizite në Itali janë mbuluar nga qeveria shqiptare. Ministri i asaj kohe, Maksim Cikuli, kërkoi që qeveria shqiptare të miratonte në buxhetin e saj një fond prej 3. 4 milionë lekësh për kurimin e Gazidedes në Itali. Por pak kohë më pas qeveria shqiptare sponsorizon për herë të dytë, kurimin e ish-kreut të SHIK, Bashkim Gazidedes në Itali. Gjatë një mbledhjeje të qeverisë u miratua propozimi i Ministrisë së Shëndetësisë për të akorduar një shumë prej 4 milionë lekësh të reja për mbulimin e shpenzimeve për kurim të ish-kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, aktualisht zv. drejtor i Hipotekave, Bashkim Gazidede. "Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 21 e 27, të ligjit nr. 8379, datë 29.07.1998, "Për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të shtetit të Republikës së Shqipërisë" dhe të neneve 8 e 12, të ligjit nr. 9464, datë 28.12.2005, "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2006" me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi të akordojë një fond prej 4 milionë lekësh për përballimin e shpenzimeve të pjesshme për kurimin e z. Bashkim Gazidede në Itali",- thuhet në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave. Fondet që akordohen për mbulimin e shpenzimeve jashtë shtetit për kurimin e zyrtarëve përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.


Ngritja dhe rënia e njeriut më të mistershëm të pushtetit të PD-së në vitet ’90. Rrëfimi: Mua më thirri zoti Berisha një ditë të shtunë dhe më tha se kish menduar të më emërojë shef të SHIK-ut


Gazidede, eminenca gri e ish-presidentit Berisha


Kur më 10 dhjetor 2005 Bashkim Gazidede ishte rikthyer në Shqipëri pas më se tetë vitesh ekzili, opinioni vendas e përcolli këtë me rindërtimin e kastës drejtuese që kishte komanduar vendin në vitet 1992-1997. Por me një nam shumë të keq. Emri i Gazidedes, ish-profesor i matematikës në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë ishte i lidhur me ngjarjet më të rënda që kanë ndodhur gjatë kohës që PD mbajti pushtetin pas fitores së zgjedhjeve në 22 mars 1992. Ai ishte emëruar kryetar i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK), me propozim të presidentit të asaj kohe, Sali Berisha dhe deri sa ndërroi jetë, ai mbeti në kujtesën e popullit si shefi injë shërbimi që ishte kundërvënë ndaj popullit, opozitës së asaj kohe, kish inkurajuar forcimin e islamizmit radikal dhe kishte ishte përfshirë direkt edhe në dhunimin apo zhdukjen e personave, që janë ende të pagjetur, si ishte rasti i biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha.


“Mua më thirri zoti Berisha një ditë të shtunë dhe më tha se kish menduar të më emërojë shef të SHIK-ut. Unë nuk pranova. Rezistova të them të drejtën, sepse mendoja se ishte një punë e vështirë për mua”. Kështu kishte rrëfyer për të vetmen herë në media, Gazidede, emërimin e tij në krye të SHIK në vitin 1992, post që e mbajti deri në largimin e PD-së nga pushteti pas trazirave të dhunshme të marsit 1997. Drejtimi prej tij i SHIK ishte bërë për pesë vjet ana më e errët dhe më e përfolur e qeverisjes së PD-së. Me shërbimin e drejtuar prej tij ishin të lidhura shumë prej akteve jodemokratike, të denoncuara në organizmat ndërkombëtare. Zhdukja e shtetasit Remzi Hoxha në vitin 1995, kishte përfunduar në dosjet e pambyllura të Amnesty International, ndërsa torturimi i shtetasve të tjerë të mbijetuar nga torturat e SHIK-ut në një bazë në Vajin të Lezhës, vijon ende të gjykohet nga drejtësia në Tiranë. Me figurën e tij dhe të shërbimit është i lidhur dhuna ndaj opozitës në vitin 1996 para dhe pas zgjedhjeve të 26 majit 1996, rrahjes së liderëve të majtë dhe torturimeve të aktivistëve gjatë dhe pas protestës së 28 majit.


Por kulmi i implikimit të tij dhe të SHIK-ut ishte koha shkurt-mars 1997 kur në vend u vendos gjendja e jashtëzakonshme, dhe ai u emërua gjeneral i operacionit për rivendosur rendin dhe eliminimin e bandave të armatosura që kontrollonin shumë prej qyteteve në Jug të vendit, por kjo e rëndoi edhe më tepër situatën duke shtuar zemërimin e turmave që kërkonin paratë e humbura në firmat piramidale.


Pas rikthimit në Shqipëri, Gazidede, si shumë prej zyrtarëve të tjerë të qeverisjes së parë të PD-së, u emrua zëvendësdrejtor i Zyrës për Regjistrimin e Pasurive në Tiranë. Por, pas përkeqësimit të shëndetit, ai e ushtroi shumë pak detyrën. Që nga nëntori i vitit 2006 deri një muaj më parë, qeveria “Berisha” akordoi tri herë fonde shtesë në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për kurimin jashtë vendit të ish-shefit të SHIK-ut. Fakti që ai ishte rikthyer u dha kurajë familjarëve të biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha që të rikërkonin hetimin e dosjes së pambyllur me qëllim gjetjen e eshtrave të të ndjerit. Vetë Gazidede nuk u ngarkua me asnjë akuzë, megjithëse ai kishte tre të tilla: atë të "shpërdorimit të detyrës"; "moskallëzimit të krimit" dhe "veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës", të cilat parashikonin dënimin nga gjobë deri në 13 vjet burg. Por sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, këto vepra penale ishin amnistuar me ligjin e amnistisë nr. 8202, miratuar dhe dekretuar në mars të vitit 1997 nga ish-presidenti Berisha. Ai kishte theksuar se nuk dinte asgjë për fatin e Hoxhës dhe kishte mbajtur në mister të plotë shumë prejngjarjeve të rënda të ndodhura gjatë pushtetit të parë të Berishës.