Poezia shqipe humbet poetin Sadri Ahmeti në përmasën e vargut, thellësinë e ndjenjës, shpirtin e madh e humorin e rrallë plot kripë.

Artisti i fjalës dhe akuarelit ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare pas lëngatës prej një sëmundjeje të rëndë në apartamentin e tij galeri pikture në lagjen e Selitës së Vogël në Tiranë.

Poeti Sadri Ahmeti pas viteve '90 botoi 9 librat :"Një e qeshur harbon nëpër errësirë","Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok","Masakra e Tivarit","Aisbergu i preludit të katastrofës","Vallja e katrahurave"."Kalëroj rreth botës mbi re'."Tek lahem në dritën e Hënës","Loz era me gjethet e vjeshtës sime","A do mund të takohemi nesër?" si dhe librin me prozë tregimore,"33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës" që tanimë lexuesi mund ta lexojë këtë libër edhe në anglisht që dallohen për simbolikën e Kripës si element shpirtëror në vargjet e tij.

Sadri Ahmeti si akuarelist i veçantë është njëherazi fitues i çmimit Onufri në vitin 1994 nga Galeria Kombtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës.

Sadri Ahmeti lindi në Vuthaj të Plavës-Mali i Zi,me 1939, një fshat nga i cili kanë dalë shumë krijues e artistë me emër në kulturën shqiptare.Pas shkollimit të mesëm emigron në Shqipëri në vitin 1957 ku edhe nis kalvari i tij jetësor.Ishte e vështirë për një artist si Sadri Ahmeti të mbetej i lirë,mik u ngushtë i Bilal Xhaferrit, Sadriu njihej nëpër rrethet kulturore të Tiranës per guximin e tij në fjalë. Nuk vonon e arrestohet kur ishte student në Akademinë e Arteve, dënohet me burg e pastaj me internim që nga minierat e Spacit në kantieret e Elbasanit.Pas viteve '90 përfundon studimet e lëna përgjysmë ne Akademinë e Arteve që ia pat ndërprerë burgu,një ëndërr e mbetur përgjysmë pasi ky poet është edhe piktor i njohur e një nga akuarelistët më të mirë shqiptarë. Deri sot ai ka hapur afro 30 ekspozita vetiake dhe 6 jashtë nëpër Evropë, me portretet e Bukurisë Femërore si dhe peizazhet e mjegullta në akuarele.