Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi nuk dëshiron t’i komentojë akuzat që ish-kryetari Smajl Latifi, ka bërë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, për blerjen e votave në këtë qytet, por thotë se fitorja e tij është e pastër si loti.

“Nuk kam asnjë koment për akuzat e Latifit”, tha Vehapi dhe tregon se fitorja e PDK-së në Rahovec, ka qenë shumë e pastër.


“Fitore ma të pastër si në Rahovec, nuk ka pasur asnjë komunë tjetër në Kosovë”, tha Vehapi për “PrizrenPress”.


Ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe Ministrinë e Bujqësisë për blerjen e votave në Rahovec.


“Ka pasur blerje të votave me anë të subvencioneve. Unë do të doja që ndonjë prokuror të më intervistonte dhe t’i tregoj faktet që kam”, ka thënë Latifi.


Kryeprokurori i rajonit të Prizrenit, Sylë Hoxhaj, ndërkaq ka paralajmëruar se do të fillojnë hetimet për akuzat që ish-kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka bërë publikisht për blerje të votave në drejtim të kryeministrit Hashim Thaçi. “Nëse ka bazë, ne do të nisim hetimet, këtu s’ka pardon”, ka thënë Hoxhaj.


Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi, fton Prokurorinë që t’i zhvillojë hetimet ndaj akuzave të ish-kryetarit Smajl Latifi.


“Është detyrë e Prokurorisë që t’i zhvillojë hetimet për këto akuza. Fitorja e PDK-së në Rahovec ka qenë e pastër,prandaj është mirë që kjo të zbardhet edhe nga Prokuroria”. /Indeksonline/