Kryetari i G99, Erjon Veliaj, zhvilloi takime elektorale në qytetin e Krujës. Duke iu përgjigjur gjithë politikanëve që kanë përçarë deri më sot Shqipërinë dhe shqiptarët, kreu i G99, Erjon Veliaj, u shpreh se "na thonë se ne nuk dimë të jemi të bashkuar, por ne jemi bashkë dhe të bashkuar po shkojmë në këtë betejë të 28 qershorit, me synimin për ta ndryshuar Shqipërinë njëherë e përgjithmonë". Veliaj shpjegoi arsyet themelore që mban bashkë G99 me koalicionin "Bashkimi për ndryshim", i kryesuar nga PS-ja, e duke cituar në Krujë një shprehje të Skënderbeut, tha se, "nuk shkohet në një betejë të rëndësishme veç e veç, ndaj ne po shkojmë në këto zgjedhje me fuqinë e këtij bashkimi të ri, pasi vetëm kështu të bashkuar mund të ndryshojmë Shqipërinë". "U themi atyre që qeverisin sot se kështu të bashkuar ne do t‘i mundim dhe se koha e tyre ka marrë fund", theksoi Veliaj.