Bashkia e Tiranës do të vijojë përmirësimin e sinjalistikës rrugore, si dhe të infrastrukturës së qytetit. Gjatë analizës vjetore të Ndërmarrjes Nr. 2 të Tiranës, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se është bërë një punë tepër e mirë për përmirësimin e sinjalistikës, duke rritur edhe standardet e sigurisë, megjithatë kjo do të vijojë. Gjithashtu, Veliaj u shpreh se falë zgjidhjeve inteligjente të Bashkisë së Tiranës është bërë i mundur dhe zgjidhja e shqetësimeve të qytetarëve.


 Falë aplikacionit Tirana ime, ndërmarrja është një nga performuesit më të mirë sepse ka mundësi që qytetari të fotografojë një pusetë që mungon, një llambe të djegur, e ta raportojë menjëherë. Dispeçeri më pas çon brigadën. Do të doja që ta vazhdonim ta përdornim, tha Veliaj. Duke sjellë në vëmendje gjendjen se si ka qenë kryeqyteti dy vite më parë, ku njerëzit si pasojë e neglizhencës rrezikonin edhe jetën nga mungesa e pusetave, Veliaj u shpreh se situata ka ndryshuar. Sigurisht, nga mijëra puseta, mbi 1700 janë zëvendësuar vetëm tani me kompozitin plastik-beton. U desh të tregoheshim më inteligjent se hajdutët për të gjetur një produkt i cili kushton, por nuk ka vlerë të vidhet se ska mënyrë ta riciklosh, tha ai.


 Kreu i Bashkisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të raportojnë për çdo abuzim apo problematikë në lagjen e tyre. Besoj se është mirë t’i kemi inspektorët e bashkisë, por kemi fatin që falë teknologjisë të kemi 1 milionë inspektorë. Çdo qytetar mund të jetë një inspektor më vete, tha Veliaj.


 Kreu i Bashkisë u shpreh se kryeqyteti i përballoi me sukses përmbytjet falë investimeve, por kërkoi edhe bashkëpunimin e qytetarëve për zvogëlimin e qeseve plastike dhe të mbetjeve që bllokojnë kanalizimet.


 Kemi pasur një përballim shumë herë më të mirë të përmbytjeve. Sigurisht, falë investimeve në kanalizime, falë punës. Por këtu kemi nevojë edhe për ndihmë nga qytetarët. Mijëra ton qese nuk na i sjell armiku imagjinar. Ne po bëjmë një akord me të gjitha supermarketet që duke filluar nga kjo pranverë, qeset në Tiranë do të bëhen me pagesë. Shembulli i Londrës na tregoi se kur qeset u bënë me pagesë, vetëm nga efekti psikologjik që duhet të paguanin për diçka falas, 80 për qind refuzonin të merrnin qese dhe përdornin trastën e tyre, tha Veliaj.