Tirana mikpriti sot konferencën dhe ekspozitën më të madhe ballkanike për ujin, ku ekspertë dhe politikëbërës nga shumë vende të Europës ndanë përvojat e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori në rajonin tonë.


I pranishëm në konferencën me temë Uji dhe Natyra, organizuar nga Shoqata Ujësjellës-Kanalizime e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Ujësjellës-Kanalizime Kosovë, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi takimin si një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë për këtë sektor dhe për ti përkthyer dijet në projekte konkrete.


Veliaj listoi disa nga projektet e mëdha mes të cilave dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe ndërtimin e një linje të dedikuar për furnizimin me ujë të pijshëm i zonës së Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. Në Bashkinë e Tiranës kemi filluar një seri ndërhyrjesh me kolegët hungarezë, me të cilët kemi një bashkëpunim të shkëlqyer.


Kemi filluar dy ndërhyrje të rëndësishme për qytetin tonë: së pari, për dyfishimin e të gjithë kapacitetit në zonën e Bovillës, ku kemi shtuar filtrimin, e mandej për të lidhur një linjë direkte në disa nga zonat me banorë të rinj të Tiranës, duke nisur nga Sheshi Shqiponja, deri te Fabrika e Mielit, që njihet si zona e Unazës së Re; një zonë e cila në letra ka 7 mijë banorë, por në realitet është 70 mijë banorë, tha Veliaj.


Ai u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm me ujin e pijshëm dhe të mos abuzojnë me këtë pasuri të përbashkët.


Uji është një nga këto historitë që duhet marrë me seriozitet çdo ditë, si një mall i cili mbart jetën në komunitetet tona. Kur shoh nëpër qytet sesi burrat, sidomos burrat shqiptarë, qëndrojnë me dorë në zemër në lavazhe, ndërsa presin të lahet makina, e vë në dyshim nëse rrinë me dorë në zemër teksa lahen fëmijët e tyre, me të njëjtën dashuri që presin të lahet makina. Për ti dhënë më shumë mundësi njeriut, sesa makinave, do të duhet ta disiplinojmë shpërdorimin e ujit, theksoi Veliaj.


8 nëntor 2018 (gazetaShqip.com)