Të privuar prej vitesh nga shërbimi i transportit urban, tashmë banorët e Linzës dhe zonës së Thesarit kanë mundësi që të udhëtojnë drejt qendrës së Tiranës, pa qenë nevoja të ndryshojnë autobus apo të marrin linja të tjera. Bashkia e Tiranës ka realizuar një tjetër premtim të sajin, duke zgjatur linjën e Porcelanit deri te godina e Thesarit të Shtetit, çka u mundëson banorëve të kësaj lagjeje të re lëvizjen deri në qendër të Tiranës vetëm me anë të një linje.


Në vazhdën e inspektimeve në terren të shërbimit të transportit publik në kryeqytet, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi me autobusët e kësaj linje, ku pa nga afër shërbimin e ofruar dhe u njoh me vlerësimin e qytetarëve, ndërsa theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur.


Jam shumë i kënaqur me linjën e Porcelanit, është një linjë që vetëm emrin në fakt e ka të Porcelanit, sepse itinerari në fakt është dy herë sa emri i linjës. Pra, itinerari jo vetëm kalon Porcelanin, Kinostudion, shkon deri në Linzë dhe gjithë zonë  e Thesarit, zonën  e Freskut, ku i shërben një lagje të re që deri dje trajtohej si një lagje e komunës, e Dajtit fshat. Sot në fakt, është një pjesë e qytetit, është urbanizuar jashtë mase, me pallate e banorë të rinj, që deri dje duhej të ndërronin stacionet ose të ecnin në këmbë deri në Kinostudio për të përfituar këtë shërbim. Nga sot e përfitojnë të plotë shërbimin, me abone, dhe më vjen mirë sepse mbajtëm fjalën, ashtu siç premtuam, që autobusin do ta çojmë deri në Linzë dhe gjithë zona nga Teleferiku, te Thesari, Fresku shërbehet tani nga kjo linjë, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës.


Veliaj shtoi se kjo linjë, përveç shtimit të stacioneve dhe zgjatjes së saj, ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të cilësisë së shërbimit dhe kjo falë shtimit të flotës me mjete të reja, ashtu edhe nëpërmjet shpeshtësisë së lëvizjes. Kjo vjen gjithashtu me një shtim 60% të flotës së mjeteve, mjete të reja me shumë pak kilometra, me autobusë që funksionojnë me kondicionim dhe ngrohje. Më vjen mirë që i jemi përgjigjur kërkesës së qytetarëve brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër për përmirësimet në këtë linjë. Me shtimin e stacioneve, me shtimin e flotës, gjykoj që kemi marrë një vendim të drejtë dhe që po na jep fryte me një numër të konsiderueshëm qytetarësh, që shprehin kënaqësinë me mënyrën se si po performon linja, tha Veliaj.


Për të rritur edhe më tej cilësinë e shërbimit, por edhe për të respektuar kushtet dhe kërkesat e kontratës nga ana e operatorëve të transportit urban, Veliaj ka kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve për të sinjalizuar Bashkinë për çdo vonesë apo çdo problem tjetër që konstatojnë gjatë udhëtimit. E mira nuk ka fund, ndaj ftoj qytetarët që për të gjithë problematikat e linjës, të telefonojnë 0800-0888! Ne kemi shoferë me eksperiencë, fatorino që janë trajnuar, megjithatë kjo është e përkohshme, teksa kalojmë te bileta e elektronike këtë vit dhe jemi në nisje të procedurave për biletimin elektronik, i cili do të mundësojë një sjellje akoma më korrekte dhe një modernizim të mënyrës se si menaxhohet edhe financiarisht koncepti i transportit publik në Tiranë, theksoi Veliaj.


Nga ana tjetër ai u shpreh se veç investimeve në automjete dhe teknologji për monitorimin online të linjave, kryebashkiaku bëri të ditur se po shihen edhe ndërhyrje të tjera për të zgjidhur probleme që vijnë për shkak të nyjeve të mbingarkuara apo edhe fashave të orareve. Kemi ende vend për përmirësim dhe disa nyje nevralgjike që qytetarët na i kanë raportuar si problematike, siç është zona e Astirit apo disa nga flukset e mëngjesit në periferi, janë sfidat tona të ardhshme. I garantoj të gjithë qytetarët se do i qëndrojmë te koka, deri sa ta zgjidhim këtë situatë, qoftë duke bërë një funksionim më të mirë të linjave, qoftë duke shtuar kontrollet apo edhe një rregullim të orareve të fillimit të aktivitetit paradite, e cila na mundëson që fluksi të shpërndahet në disa fasha orare dhe jo gjithë trysnia e 200 mijë vetëve në orën 08.00 të mëngjesit, shtoi Veliaj.


Enton Punavija, drejtor për Trafikun dhe Lëvizshmërinë në Bashkinë e Tiranës, u shpreh se në injën  e Porcelanit është shtuar edhe numri i mjeteve të vëna në shërbim të qytetarëve, si dhe një numër i madh qytetarësh të kësaj zone do të kenë tashmë edhe përfitime ekonomike duke u pajisur me abone. Linja e Porcelanit është zgjatur duke i shërbyer zonës se urbanizuar, poshtë Dajtit. Nga 10 autobusë që ka patur në inventar, janë bërë 16 autobusë. Është në fazën e kolaudimit e po shikojmë frekuencat, volumet e pasagjerëve për të parë mundësinë edhe të përmirësimit të frekuencave në ditët në vijim. Besoj se brenda javës tjetër i gjithë sistemi do të jetë funksional. Njëkohësisht është në procesin e instalimit të sistemeve GPS dhe besoj që brenda fundit të muajit do ta kemi dhe aksesin për të bërë të mundur monitorimin. Më kryesorja besoj që është përfshirja e një numri shumë të madh banorësh në sistemin e kartelave të pajtimit me abone, tha Punavija.


Për shkak të numrit të lartë të mjeteve private, Bashkia e Tiranës ka bërë edhe një skemë për ruajtjen e prioritetit të lëvizjes me anë të semaforëve, si dhe po planifikon mundësinë e ndërtimit të korsive të rezervuara aty ku ekziston mundësia.