Tirana e festoi ndërrimin e viteve me një spektakël të madh fishekzjarrësh, sapo akrepat u takuan në mesnatë. Me qindra të rinj e të reja, familjarë e fëmijë dolën në sheshin Skënderbej, i zbukuruar si asnjëherë më parë, për t’i uruar mirëseardhjen vitit 2019-të dhe për të ndjekur koncertin festiv të organizuar nga Bashkia e Tiranës me këngëtarët më të njohur të muzikës shqiptare.


Me urimin për një vit të mbarë, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Tirana është vendi i të gjithëve dhe ëndrra e çdo shqiptari për tia dalë në mbanë. Ai shprehu bindjen se edhe për 2019-n, të gjithë bashkë do të kemi një qytet më të mirë.


Tirana është sot vendi i të gjithëve, ëndrra e çdo shqiptari për tia dalë në Tiranë! Ndaj, miqtë e mi, së bashku kemi bërë mrekullinë, kemi realizuar ëndrrat tona dhe jam i bindur se në vitin 2019, prapë bashkë, do të kemi qytetin më të mirë të shqiptarëve. Dua sot të falenderoj të gjithë ata që na janë bashkuar nga Kosova; një përshëndetje të madhe të gjithë shqiptarëve nga Maqedonia, nga Mali i Zi dhe jam i lumtur që Tirana nuk është sot vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, tha Veliaj.


Kreu i Bashkisë ia kushtoi të gjitha arritjet dhe çdo punë të këtij viti të gjithë qytetarëve të Tiranës.


Fjala bashki, vjen nga fjala bashkë, nga të qenit bashkë, nga të bërit të punëve bashkë, nga të ëndërruarit bashkë, nga realizimi i projekteve bashkë, ndaj unë dua tiua dedikoj çdo sukses, çdo arritje dhe çdo punë të këtij viti, të gjithë qytetarëve të Tiranës: atyre që janë tironsë den-baba-den, atyre që janë nga Tropoja, nga Tepelena, nga Kukësi, nga Saranda, nga Shkodra, nga Berati, nga Lushnja, nga Fieri, nga Dibra, nga Durrësi, nga Elbasani, nga Librazhdi, tha ai.


Veliaj vlerësoi edhe nismën e qeverisë për ndalimin e lojërave të fatit duke filluar nga sot, si dhe rritjen e bonusit të bebes që tashmë është 40.000 lekë.


Kemi bërë kaq shumë gjëra të bukura bashkë në 2018: Nesër (sot) Tirana do gdhihet akoma më e mirë, do të jetë një Tiranë pa bingo, pa baste, pa kazino. Janë mërzitur pak çunat, por gocat që i kanë afër, jam i sigurt se do i ngushëllojnë dhe do i inkurajojnë të rrinë pak më shumë në shtëpi, nënvizoi Veliaj.


Ndërkohë, darkën e pritjes së Vitit të Ri, kreu i Bashkisë së Tiranës zgjodhi ta kalojë me punonjësit e Ndërmarrjes së Punëtorëve Nr.1, të cilët edhe në këto ditë festash kontribuojnë për të patur një qytet sa më të pastër. Duke u uruar atyre një vit të mbarë, ai u shprehu mirënjohjen për punën që bëjnë çdo ditë për një ambient sa më të pastër dhe të rregullt.


Festa nisi në orën 22:30 të mbrëmjes me Koncertin e Vitit të Ri, ku performuan këngëtarët e njohur si Evi Reçi, Ardit Çuni. Alban Nimani, ëest Side Family, Eneida Tarifa, Eranda Libohova, Sidrit Bejleri, Flor Mumajesi, Klajdi Haruni & Bruno DJ si dhe performanca e shkëlqyer e DJ Vinit. Spektaklit nuk i munguan as kërcimet fantastike të Tan Bramës dhe grupit të tij.


1 janar 2019 (gazeta-Shqip.com)