veliajFëmijët e vegjël të Njësisë Administrative nr. 5 do të kenë nga sot një çerdhe të rikonstruktuar sipas standardeve bashkëkohore. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në çerdhen nr. 16, ku deklaroi se për vitin 2016 është planifikuar një buxhet shumë ambicioz, sidomos për shkollat, ku nevoja është më e madhe. Tashmë që 31 çerdhe janë adoptuar dhe ne kemi vënë sot në vijë pjesën më të madhe të arsimit parashkollor, ne kemi planifikuar një buxhet shumë ambicioz për vitin 2016, sidomos për shkollat, ku nevoja është më e madhe, u shpreh Veliaj. Ai tha se një iniciativë e Bashkisë së Tiranës për të gjitha shkollat e qytetit do të jetë vendosja e një partneriteti publik – privat.


Më tej, kryebashkiaku vlerësoi se prej nismës Adopto një çerdhe është përfituar një tjetër çerdhe e re, totalisht e rikonstruktuar falë kontributit të atyre që iu bashkuan kësaj nisme dhe që sot Tirana të ketë një çerdhe më të bukur. Më vjen mirë që për 80 familje është zgjidhur problemi i çerdheve. Unë e di që nevoja është shumë më e madhe, megjithatë në këtë muaj dhjetori nuk besoj se ka dhuratë më të bukur për një komunitet, sesa dhurimi i një çerdheje, tha Veliaj. Sipas tij, kur dhuron një çerdhe, ke bërë të njëjtën gjë dhe për prindërit, për gjyshërit e gjyshet të cilët në prag të Vitit të Ri duan diçka më të mirë për fëmijët e vet.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës shprehu mirënjohjen ndaj sipërmarrësve që iu janë bashkuar në këtë iniciativë, për të konfirmuar që në këtë muaj solidariteti, të dhurojnë për fëmijët është ndoshta gjëja më e bukur që mund të bëjnë. Ne kemi kuptuar se kur bashkëpunojmë, bëjmë gjëra shumë të bukura dhe si institucionet e Bashkisë, si institucionet e qeverisë qendrore, komuniteti i biznesit, atëherë tregojmë se jemi realisht qytet, u shpreh Veliaj. Sipas tij, qytetari është më shumë se një banor, pasi ai nuk mendon vetëm si do zgjidhë hallet e veta, por si do ti japë diçka mbrapsht komunitetit.


Në përfundim të fjalës së tij, kryebashkiaku falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në 100 ditët më të vështira të Bashkisë së Tiranës. Ju garantoj se keni marrë bekimet dhe uratën e gjithë familjeve dhe sigurisht kur këta fëmijë të bëhen të famshëm një ditë, 80 të rritur që kanë qenë bebe në këtë çerdhe do ju kujtojnë me shumë nostalgji, ashtu siç secili prej nesh ka kujtuar ata që i kanë dhënë një dorë kur kanë qenë fëmijë, përfundoi Veliaj.