Ka nisur nga Njësia 8 rrugëtimi i dëgjesave me qytetarët e Bashkisë së Tiranës për Buxhetin 2019 dhe bilanci i punës së realizuar në këto 3 vjet. Duke filluar pikërisht nga Pazari i Ri, si simbol i transformimit që ka pësuar kryeqyteti, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se në tre vite Tirana ka bërë më shumë progres se çdo kryeqytet tjetër në rajon. Ai theksoi se vetëm në Njësinë 8 Bashkia e Tiranës ka investuar më shumë nga sa kishte premtuar në 2015.


Nuk premtuam tram, por ato që premtuam i bëmë. Siç e patë, ju keni nxjerrë nga njësia edhe kryetar Bashkie, edhe nën/kryetare Bashkie që premtuan tramin, premtuan se do investoheshin 1.1 miliardë në këtë njësi, por investuan më pak se 1/5 e asaj që premtuan. Ne thamë do investojmë 960 milionë, kemi investuar 970 milionë. Është më mirë ti qëndrosh fjalës tënde, se sa të premtosh majat dhe ndërkohë mos të bësh as 1/5. Kjo është arsyeja pse ndihem shumë mirë sepse kemi bërë një plan si familje nikoqire. Edhe pse i kemi taksat e kryeqytetit më të ulëtat se çdo kryeqytet në rajon, kemi arritur në tre vjet të bëjmë më shumë investime dhe më shumë progres se çdo kryeqytet tjetër i rajonit tonë, tha Veliaj.


Ai përshëndeti vendimin e qeverisë për të ndaluar të gjitha lojërat e fatit dhe pikat e basteve në zonat e populluara, duke theksuar se ai është vendimi më i mirë edhe për qytetarët e Tiranës. Nuk besoj se ka një nismë më të mirë të qeverisë shqiptare se iniciativa për të mbyllur të gjitha pikat e basteve e kazinove. Ej, jemi tek njësia 8, e keni parë ku e ka bustin Vojo Kushi? Është i mbytur me pikat e basteve, nuk e gjen dot Vojo Kushin tek Selvia. Pikat e basteve, duke nisur nga Vojo Kushi i pari, që lirohet në datën 1 janar, duhet të largohen nga Tirana. E dini se fondi që shkon për baste është më i madh se buxheti i Bashkisë së Tiranës në një vit? Pra, në qoftë se në Tiranë mbyllen kazinotë e bastet, do të kemi kursyer ekzaktësisht, ndoshta edhe diçka më shumë se sa është buxheti i Bashkisë, pra kemi dyfishuar financat lokale, vetëm duke mbyllur industrinë e veseve. Ky është një lajm i mirë për Tiranën, që duhet ti gëzohemi të gjithë, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.


Një nga projektet më transformuese dhe që pritet të japë një impakt tepër pozitiv në ekonominë e qytetit është edhe projekti i përbashkët i Bashkisë së Tiranës, me Fondin Shqiptaro-Amerikan për rehabilitimin e zonës së 9-katësheve. Veliaj sqaroi se sheshi Skënderbej do të lidhet me Pazarin e ri, në një zonë që do të jetë hapësirë biznesi, duke gjeneruar edhe mjaft vende të reja pune.


Kemi marrë një vendim që të mos i lëmë Pazarin e Ri dhe sheshin Skënderbej si dy ishuj veç e veç, me kolonat në mes, por kemi përgatitur një investim së bashku me miqtë tanë të Fondit Shqiptaro-Amerikan, për të riparuar të gjithë pjesën e 9-katësheve, kolonave, që sheshi Skënderbej të lidhet natyrshëm, me të njëjtin cilësi punimesh, përmes dy pjesëve të kolonave, me Pazarin e Ri, duke e kthyer në një rrugë të madhe shopingu. Me lirimin e shumë pikave të kazinove dhe basteve, do të ketë më shumë hapësirë për biznese të mirëfillta, që gjenerojnë vende pune, shtoi kryebashkiaku.


16 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)