Veliaj tha se pavarësisht skeptikëve, shtimi i Tiranës me studentë dhe me qytetarë të devotshëm, e bën qytetin më të mirë. Pyetja është se çfarë do të bëjmë me jetën tonë? Mund të vijmë vërdallë tre vite nëpër Tiranë, ose mund të themi: Hej, kjo është maratonë, duhet vrapuar përditë sepse ndërkohë që ti je pushim, po vrapon dikush tjetër. Nëse dikush vjen nga një provincë e Shqipërisë, duam ta dini se në Tiranë ju presim krahëhapur, ju respektojmë, dhe jemi tifozët më të mëdhenj të suksesit tuaj.


Besojmë se shtimi i Tiranës me studentë të mirë, me njerëz të mirë, me qytetarë të devotshëm, me njerëz të rinj pasionantë, e bën qytetin më të mirë, jo më të keq, nënvizoi ai.


Kryebashkiaku nënvizoi se Tirana përfaqëson epiqendrën e çdo zhvillimi politik, kulturor dhe ekonomik, duke i dhënë mundësi të përparojë çdo të riu e të reje. Për mbi 20 mijë studentët që fillojnë për herë të parë vitin e ri studentor, statistikat tregojnë se 9 nga 10 do të jetojnë në Tiranë dhe nuk do të kthehen në rrethin nga kanë ardhur. Kjo nuk duhet të na trembë. Unë besoj se Tirana sot është epiqendra e çdo zhvillimi politik-kulturor-ekonomik dhe mendoj se çdo djalë e çdo vajzë, pavarësisht si e kanë mbiemrin, pavarësisht çfarë lidhje ka me partitë, duhet të ketë një shans tia dalë me sukses në Tiranë dhe kjo është ambicia e Bashkisë së Tiranës, deklaroi ai.


Teksa i njohu studentët e rinj me disa nga nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, sikurse janë hapja e bibliotekave të lagjeve, pistat e biçikletave, Veliaj ftoi studentët e ardhur që ti bashkohen rrjetit të vullnetarëve, ku qindra të rinj angazhohen në punë në dobi të komunitetit.


16 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)