Tirana është përzgjedhur nga Forumi Botëror i Urbanistikës, si një nga 3 qytetet që, bashkë me Newcastle-in e Australisë dhe Panama City-n e Panamasë, ka pësuar më shumë ndryshime vitin e fundit. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë dy ditore në Kuala Lumpur të Malajzisë, si i ftuar në Forumin Botëror të Urbanistikës për të prezantuar arritjet dhe ndryshimet e mëdha që ka pësuar kryeqyteti shqiptar vitin e fundit.

































Në fjalën e mbajtur në forumin ku morën pjesë drejtues vendorë, investitorë, organizata joqeveritare dhe ekspertë në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm urban, kryebashkiaku Veliaj prezantoi projektet transformuese të Tiranës dhe vizionin për të ardhmen. Jam shumë i lumtur që Tirana është përzgjedhur si një nga 3 qytetet që ka pasur më shumë ndryshime në vitin e fundit në Forumin Botëror të Urbanistikës. Jam shumë krenar për këtë. Gjithashtu, jam i ndërgjegjshëm se kemi ende shumë punë për të bërë, por sot ishte një mundësi për të treguar se me pak vullnet, me dëshirë dhe me një bashkëpunim nga i gjithë komuniteti, duke filluar nga fëmijët deri te pensionistët, mund të kemi qytetin e ëndrrave tona, tha Veliaj, duke nënvizuar bindjen se ky ritëm i punëve në Tiranë, e radhit atë në një nga qytetet që kanë realizuar shumë ndryshime dhe reforma në një periudhë të shkurtër.


Ai deklaroi se falë energjisë së përbashkët dhe bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe asaj lokale, ndryshimet e realizuara në një kohë kaq të shkurtër janë të mekullueshme. Shumë gjëra që shumë prej kolegëve, kryetarë bashkie, dëgjuan nga Tirana, ndoshta në kushte normale ose me planet rutinë nuk do të bëheshin për shumë vite. Ama, kur e gjithë kjo energji bëhet bashkë, e qeverisë qendrore, e qeverisë lokale, e të gjithë aktorëve në komunitet, mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme, shtoi Veliaj.


Kryebashkiaku vlerësoi se Forumi Botëror i Urbanistikës ishte një mundësi e vyer për të folur për mënyrën se si në Tiranë janë realizuar në një kohë të shkurtër projekte të mëdha, edhe me përfshirjen e biznesit dhe aktorëve të ndryshëm. Ishte një mënyrë për të folur për mënyrën se si në një kohë të shkurtër kemi realizuar projekte të mëdha si sheshi Skënderbej, projekti i Pazarit të Ri, Bulevardi i Ri, dhe shumë vepra të infrastrukturës, për mënyrën se si është përfshirë edhe biznesi, se si shumë kompani adoptuan një kopshët a çerdhe, për mënyrën se si fëmijët kanë pasur një rol fantastik avokatie për ditët pa makina, e që më vonë u përkthye në më shumë hapësira pedonale apo gjithë betejat për kënde lodrash që sot janë kthyer në një akupunkturë për qytetin. Të gjitha këto na bëjnë të ndihemi krenarë, sepse sot kemi një qytet më të jetueshëm, shpjegoi ai.


Këtë vit pritet që në rrugët e qytetit të Tiranës të qarkullojë edhe një flotë prej 4 mijë biçikletash, ndërkohë që një nga projektet më ambiciozë që ka nisur nga puna është zgjidhja përfundimtare brenda pjesës së parë të vitit 2019 e çështjes së mësimit me dy turne në shkolla. Mezi pres që muajin tjetër në Tiranë të vijë flota me 4 mijë biçikleta të reja, të cilat qytetarët do ti përdorin në rrjetin minimal kushtuar korsive të biçikletave. Me shkollat e reja që mbarojmë këtë vit, si Servete Maçi dhe Kosova, por edhe me paketën tonë të shkollave të reja, do të kemi zgjidhur përpara zgjedhjeve të vitit 2019 çështjen e arsimit me dy turne në Tiranë, tha Veliaj.


Por, një kujdes i veçantë i është kushtuar edhe përmirësimit të infrastrukturës, ku sikurse është bërë tashmë traditë, edhe gjatë këtij viti, Bashkia e Tiranës do të ndërhyjë për rehabilitimin e 50 blloqeve të reja të banimit, që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve. Jam shumë entuziast për faktin se Tirana është bërë gjithmonë e më shumë epiqendër e vëmendjes së atyre që merren me urbanistikë e arkitekturë. Ndonjëherë ne u kushtojmë vëmendje cic-miceve tona të vogla, por vetëm kur jemi jashtë dhe kur shikojmë se si vlerësohet kjo punë, kuptojmë që kemi bërë shumë. Ama, më e mira është përpara. Këtë vit me paketën e investimeve, do të bëjmë ndërhyrje edhe në 50 blloqe të tjera banimi. Do të kemi një Tiranë edhe më të jetueshme se ajo që kemi pasur, përfundoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.


9 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)