78856e0b6bf4f5b61bf0073eeba969d1_MVëllezërit Orik dhe Leart Shyti i janë përgjigjur sot ish-kreut të PD Sali Berisha, pasi ky i fundit i ka akuzuar për lidhje me projektin mbi stadiumin e ri kombëtar.

Në një deklaratë për media me titullin ironik "Disa fjalë për sihariqin e fundit të Sali Berishës",- vëllezërit Shyti shkruajnë:

"Ne "hakmarrësit" sot morëm sihariqin e radhës. Qenkemi në ortakëri për ndërtimin e një kulle pranë stadiumit kombëtar "Qemal Stafa". Nuk i kemi të rralla sihariqet, por ky i sotmi është më "shtatlartë" se të tjerët, është kullë.

Kemi 20 vjet që krimet dhe ndërtimet "tona" i marrim vesh nga Sali Berisha. Dhe kjo është normale. Se nga kush tjetër, përveçse nga ideatori dhe pronari i "Hakmarrjes për Drejtësi" do t'i merrnim vesh? Ai e ndihen për detyrë që, sa herë ndodhin krime të rënda dhe ka ndërtime të mëdha, "Hakmarrja" e tij të ketë pjesën e saj.

Është zakon i lashtë ndër shqiptarë që lajmësit diçka i jepet. Dhe ne kemi bërë sa kemi mundur, i kemi ofruar herë shumëçka e herë diçka me mirënjohjen që i takon.

Po kujtojmë se për sihariqet e panumërt që kishte dhënë botërisht për ndërtime pallatesh e vilash, në shtator 2005, sapo bëri betimin si kryeministër, ia ofruam të gjitha pallatet, vilat dhe pasuritë e patundshme. Botërisht iu lutëm që vlerën e gjithë asaj pasurie ta kalonte për të ndihmuar fëmijët e shumtë të mbetur jetimë nga vëllavrasjet në Tropojë, në saje të kujdesit të tij për krahinën ku kishte lindur.

Edhe sot i takon diçka dhe ne po i ofrojmë nga kulla një apartament për çdonjërin nga zëdhënësit që prej vitesh i nxirr në konferenca shtypi për të na dhënë sihariqin e ri.

Meqë djemtë, vajzat, gratë dhe burrat që ka përdorur si zëdhënës të tij për "Hakmarrjen për Drejtësi" janë të shumtë dhe është normale ta kalojnë numrin e apartamenteve të kullës së projektuar, po i sigurojmë të mos merakosen, as të grinden mes tyre se, duan apo s'duan qeveritarët vendorë e qendrorë, me ndihmën e Saliut do t'ia shtojmë edhe një apo dy kate kullës.

Rasti na kujton fjalët për qoftëlargun, "Djalli s'ka dele, por s'resht së shituri lesh"./Leart Shyti / Orik Shyti/DITA/